Pothuajse 40 për qind e parave që mërgimtarët dërgojnë në Kosovë vijnë nga Gjermania. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në tetë muajt e parë të 2026-s diaspora ka dërguar 984.1 milionë euro, me rritje prej 6.74 për qind.

Gjermania mbetet pa konkurrencë si burimi kryesor i parave që diaspora dërgon në Kosovë. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, rreth 39.3 për qind e remitencave kanë ardhur nga mërgimtarët që jetojnë atje. Zvicra renditet e dyta, me 17.2 për qind të dërgesave.
Distanca mes dy vendeve të para dhe pjesës tjetër është e madhe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin e tretë me 7.3 për qind, të ndjekura nga Austria me 4.6 për qind dhe Italia me 3.7 për qind. Belgjika përbën 3.4 për qind të dërgesave, Franca 3.3 për qind, Suedia 3.1 për qind dhe Mbretëria e Bashkuar 3 për qind.
Brenda gjysmëvjetorit, pesha e dy vendeve kryesore ka ndryshuar nga muaji në muaj. Prilli ishte muaji kur Gjermania arriti pjesën më të lartë, me 43.8 për qind të totalit, ndërsa Zvicra kulmoi në maj, me 18.4 për qind.
Shifrat për tetë muajt e parë të vitit tregojnë një prurje që po i afrohet kufirit të një miliardi euro. Sipas të dhënave preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nga janari deri në gusht të vitit 2026 remitencat kanë arritur në 984.1 milionë euro, me një rritje prej 6.74 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pjesa më e madhe e këtyre parave nuk kalon përmes bankave. Agjencitë për transfer të mjeteve janë kanali kryesor, me 56 për qind të totalit të remitencave në periudhën janar-gusht. Kanalet bankare vijnë të dytat, me 18 për qind. Pjesa e mbetur është dërguar përmes formave të tjera, kryesisht transfereve informale, remitencave në mallra dhe mënyrave të tjera të dërgimit të mjeteve.
BQK ka theksuar se remitencat vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Në vitin 2025, vlera e tyre përfaqësonte rreth 13 për qind të Bruto Produktit Vendor nominal, një burim të ardhurash për një numër të madh familjesh.
Në përputhje me standardet ndërkombëtare të statistikave të Bilancit të Pagesave, BQK i regjistron remitencat si transfere personale ndërmjet ekonomive familjare rezidente dhe jorezidente.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

