Ministrja gjermane e Punës, Bärbel Bas, la detyrën dhe drejtimin e SPD-së, duke përmendur vdekjen e thjeshtrës dhe sulmet që, sipas saj, erdhën edhe nga partneri i koalicionit. Largimi godet qeverinë e brishtë të Friedrich Merzit në një moment krize.

Bärbel Bas, ministrja gjermane e Punës dhe bashkëkryetare e Socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD), u largua nga të dyja postet, duke përmendur vdekjen e thjeshtrës së saj dhe sulmet politike që pasuan. Dorëheqja vjen si një goditje e rëndë për koalicionin qeverisës, që tashmë lëkundet.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, pa dhënë hollësi të tjera, Bas shkroi: "Pas vdekjes së thjeshtrës sime, kuptova se kam nevojë për kohë që të pajtohem me pikëllimin tim".
Por arsyeja e largimit nga vija e parë e politikës nuk ishte vetëm zia. Bas fajësoi hapur kritikat publike që iu drejtuan ndërsa po përballej me tragjedinë familjare, "fatkeqësisht edhe nga radhët e partnerit të koalicionit", pra nga Unioni Kristiandemokrat (CDU), partia konservatore e kancelarit Friedrich Merz. Sipas saj, sulmet "vazhduan të shtohen gjatë kësaj kohe të vështirë për mua personalisht".
Disa ligjvënës të CDU-së kishin kritikuar mungesat e saj gjatë një faze vendimtare të reformave ekonomike, të cilat shihen si thelbësore për mbijetesën e qeverisë, edhe pse dihej gjerësisht se ajo kishte humbur një pjesëtar të familjes së ngushtë.
Lars Klingbeil, bashkëkryetari tjetër i SPD-së, njëherazi zëvendëskancelar dhe ministër i Financave në qeverinë e Merzit, shprehu keqardhje për largimin e saj dhe i cilësoi "të pahijshme" goditjet ndaj saj në ditët e zisë. Klingbeil anuloi një udhëtim të planifikuar në Indi për t'u marrë me pasojat e dorëheqjes dhe kritikoi rënien e nivelit të debatit politik në vend. "Ne jemi konkurrentë dhe kemi nevojë për një kulturë debati. Por kemi nevojë edhe për një kulturë respekti të ndërsjellë", u tha ai gazetarëve.
Merz e falënderoi Basin për "bashkëpunimin e bazuar në besim" në qeveri dhe i shprehu ngushëllime në rrjetin X: "Si baba dhe gjysh, vetëm mund ta imagjinoj sa thellë e ndieni këtë humbje. Ju uroj juve dhe familjes suaj forcë".
Opozita e shfrytëzoi menjëherë momentin. Alice Weidel, bashkëkryetare e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), i shprehu ngushëllime Basit, por tha se fjalët e saj të ashpra ndaj CDU-së tregojnë se koalicioni i Merzit "ka marrë fund". Ajo shtoi: "Kemi nevojë për një fillim të ri për Gjermaninë."
AfD-ja, partia më e madhe opozitare në Gjermani, kryeson sondazhet kombëtare me rreth 30 për qind, pas një rezultati të fortë në zgjedhjet rajonale të shtatorit, në të cilat fitime shënoi edhe e majta radikale. Vetë Merzi po lufton për mbijetesën e tij politike pas tri zgjedhjeve shtetërore katastrofike për CDU-në muajin e kaluar, ndërsa vlerësimi publik për të dhe qeverinë e tij ka rënë ndjeshëm gjatë këtij viti.
Largimi i Basit prek një nga pikat më delikate të qeverisë. Ministria e saj mbikëqyr pjesë të mëdha të sistemit të mirëqenies sociale në Gjermani, të cilin Merzi e ka vënë në shënjestër për shkurtime. Koalicioni, në fuqi që nga maji i vitit 2025, është thellësisht i ndarë për planet e rimëkëmbjes së ekonomisë, dhe projektet për reformën e pensioneve, që parashikojnë ngritjen graduale të moshës së daljes në pension, kanë hasur në kundërshti të zemëruar.
Bas, ish-kryetare e Bundestagut, dhomës së ulët të parlamentit, është një nga figurat më me përvojë të socialdemokratëve. Edhe pse përfaqëson krahun e majtë të partisë, ajo shihej gjerësisht si një lojtare konstruktive ekipi. Ajo do të mbetet deputete e Duisburgut, në ish-rajonin minerar të Ruhrit.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

