Një mjek 65-vjeçar ruandez që jetonte në Londrën e Veriut është personi i parë i akuzuar në Britani për krime të lidhura me gjenocidin e 1994-ës kundër tutsive. Prokuroria britanike i ka ngritur shtatë akuza pas një hetimi shtatëvjeçar të Skuadrës për Krime Lufte.

Tridhjetë e një vjet pas masakrave në Ruandë, drejtësia britanike ka ngritur akuzat e parat në Britani të Madhe për krime të lidhura me gjenocidin e vitit 1994 kundër tutsive. I akuzuari është Dr Vincent Brown, më parë Dr Vincent Bajinya, 65 vjeç, shtetas ruandez që ka jetuar në Londrën e Veriut.
Sipas Shërbimit të Prokurorisë të Kurorës (CPS), ndaj tij është ngritur një akuzë për sjellje ndihmuese ndaj gjenocidit dhe gjashtë akuza për sjellje ndihmuese ndaj vrasjes si krim kundër njerëzimit, shtatë akuza në total.
Frank Ferguson, shef i Divizionit për Krime Speciale dhe Kundërterrorizëm të CPS-së, deklaroi se Brown "dyshohet se ka drejtuar dhe nxitur akte vrasjeje dhe gjenocidi të kryera nga të tjerë". Vendimi për ngritjen e akuzave, shtoi ai, u mor "pas shqyrtimit të një dosjeje provash të dorëzuar nga Skuadra për Krime Lufte e Policisë Metropolitane". "Arritëm në përfundimin se testi ligjor për ngritjen e akuzave penale ishte përmbushur", theksoi Ferguson.
Hetimi ka rrënjët në shtator të 2019-ës, kur Skuadra për Krime Lufte nisi punën pas një kërkese formale të qeverisë ruandeze për të hetuar persona që dyshohet se ishin të përfshirë në gjenocidin në lagjen Rugenge të Kigalit, në prill 1994. Policia Metropolitane bëri të ditur se akuzat vijnë pas "një hetimi kompleks dhe të zgjeruar shtatëvjeçar".
Komandantja Helen Flanagan, shefe e Policisë Kundërterroriste të Londrës, e lidhi çështjen me një mesazh më të gjerë: "Kjo çështje tregon se Britania e Madhe nuk është një strehë e sigurt për individët e dyshuar për kryerjen e krimeve ndërkombëtare". Sipas saj, "Skuadrat për Krime Lufte mbeten të angazhuara për të siguruar që të dyshuarit për përfshirje në gjenocid dhe krime të tjera mizore të mbahen përgjegjës përmes procesit të rregullt ligjor".
Flanagan sinjalizoi edhe se çështja nuk mbetet e vetmja: "Një numër hetimesh të tjera vazhdojnë ndaj individëve të tjerë në Britani të Madhe për vepra të ngjashme të lidhura me gjenocidin në Ruandë".
Brown do të paraqitet të martën para Gjykatës së Magjistratëve të Westminsterit. Ai nuk është shpallur fajtor për asnjë nga akuzat, të cilat mbeten pretendime të prokurorisë derisa gjykata të vendosë.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

