Gjenerali Carsten Breuer, Shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë me përvojë në misionet e NATO-s në Kosovë dhe Afganistan, është zgjedhur kryetar i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, organit më të lartë ushtarak të Aleancës.

Emri i oficerit që do të këshillojë politikisht Aleancën në çështjet ushtarake tashmë dihet: gjenerali Carsten Breuer, Shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Inspektor i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, është zgjedhur kryetar i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s. Vendimi u mor nga shefat e mbrojtjes së 32 vendeve anëtare, të mbledhur në një takim në Kopenhagë.
Breuer do ta marrë detyrën në korrik të vitit 2027, me një mandat trevjeçar, duke pasuar admiralin italian Giuseppe Cavo Dragone, kryetarin aktual të Komitetit Ushtarak. Në atë pozitë, ai do të jetë këshilltari kryesor ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe hallka që përcjell rekomandimet e drejtuesve ushtarakë të vendeve anëtare te udhëheqja politike e Aleancës.
Zgjedhja e tij vjen në një periudhë kur NATO po forcon masat e mbrojtjes dhe të parandalimit ndaj kërcënimeve të mundshme nga Rusia, një kontekst që u përmend edhe në urimin publik drejtuar gjeneralit gjerman në emër të Komitetit Ushtarak: "Urime gjeneralit Carsten Breuer, Shef i Mbrojtjes së Bundeswehr-it, për zgjedhjen e tij si kryetari i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, që merr detyrën në korrik 2027!" (në origjinal: "Congratulations to General Carsten Breuer, Chief of Defence of the Bundeswehr 🇩🇪 on his election as the next Chair of the NATO Military Committee, taking office in July 2027!").
Në të njëjtin mesazh thuhet: "Carsten, në emër të të gjithë Komitetit Ushtarak dhe personalisht, urimet tona më të përzemërta!", si dhe: "Gjykimi juaj operacional, njohja juaj e thellë e kësaj Aleance dhe udhëheqja juaj e Forcave të Armatosura Gjermane do t'i shërbejnë mirë NATO-s." Urimi shtonte: "Shefat e Mbrojtjes ju kanë dhënë besimin e tyre në një moment sfidues për sigurinë euroatlantike. Do të keni mbështetjen e plotë të Komitetit dhe të Shtabit Ndërkombëtar Ushtarak gjatë tranzicionit, dhe pres me padurim të punoj ngushtë me ju deri te dorëzimi i detyrës."
Për Prishtinën, emri nuk është i panjohur. Breuer ka shërbyer në misionet e NATO-s në Kosovë dhe në Afganistan. Karrierën ushtarake e nisi në vitin 1984, kur iu bashkua ushtrisë gjermane, dhe më pas kreu trajnime të avancuara në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara.
Që nga marsi i vitit 2023 ai mban postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bundeswehr-it. Më herët ka drejtuar Komandën Territoriale të Bundeswehr-it dhe ka qenë në krye të shtabit të krizës për pandeminë COVID-19 pranë Kancelarisë Federale gjermane. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e vlerësoi zgjedhjen e tij, duke theksuar përvojën dhe rolin që Breuer ka pasur në ristrukturimin e ushtrisë gjermane.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

