Deri më 30 qershor 2026, asnjë nga projektligjet e pakos së drejtësisë nuk kishte kaluar në Kuvend, ndërsa vetingu mbetej pa asnjë rezultat konkret. Monitorimi i Institutit Demokratik të Kosovës zbulon gjithashtu një Këshill Prokurorial të tkurrur nga 30 në shtatë anëtarë.

Zero ligje të miratuara. Ky është bilanci i pakos së drejtësisë në Kosovë për gjashtë muajt e parë të vitit 2026, sipas monitorimit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili përfundon se reforma ka ecur më shumë në letër sesa në fakte.
Duke prezantuar gjetjet, Vullnet Bugaqki nga KDI tha se projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme kishte arritur vetëm deri në leximin e parë, ndërsa procesi i vetingut nuk kishte prodhuar ende asnjë rezultat.
“Ky raport vlerëson se reforma në drejtësi për këtë periudhë kohore ka shënuar më shumë përparim procedural sesa rezultate konkrete. Deri më 30 qershor 2026, asnjë nga projektligjet e pakos së drejtësisë, pra projektligjet që vijnë nga nismat e zotimeve të pakos së drejtësisë, nuk është miratuar. Ndërkohë, ligji ose projektligji i Byrosë kishte kaluar vetëm në leximin e parë, ndërsa procesi i vetingut nuk kishte shënuar asnjë rezultat konkret. Raporti gjithashtu evidenton edhe mangësi në transparencën e procesit. Konsultimet publike, megjithatë rekomandimet, komentet, vërejtjet dhe sugjerimet e ofruara në këto procese nuk është se janë arsyetuar nga ana e Ministrisë, pse janë refuzuar apo për çfarë arsye janë refuzuar rekomandimet e shoqërisë civile, institucioneve përkatëse”, tha Bugaqki.
Pra, kritika e KDI-së nuk ndalet te ritmi. Ajo prek edhe mënyrën se si është hartuar reforma: sipas raportit, Ministria nuk ka shpjeguar pse i ka hedhur poshtë komentet dhe rekomandimet e ardhura gjatë konsultimeve publike.
Për ndikimin politik, gjetjet janë më të matura. Bugaqki tha se raporti nuk ka gjetur prova të qarta që projektligjet të jenë shkruar nën presion politik, por paralajmëroi për rreziqe strukturore dhe nënvizoi nevojën që të zbatohen rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Por theksojmë se rëndësi thelbësore ka edhe zbatimi i këtyre rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Këto rekomandime përfshijnë kryesisht forcimin e garancive të integritetit, mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit, parandalimin e politizimit në përzgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni, si dhe shmangien e bllokadave në funksionimin e këtyre mekanizmave. Sa i përket ndikimit politik, raporti nuk ka identifikuar se ekzistojnë prova të qarta që mbështesin përfundimin se këto projektligje janë hartuar ose nën ndikimin politik. Megjithatë, raporti evidenton rreziqe strukturore që kërkojnë garanci më të qarta kundër ndërhyrjeve ekzekutive dhe legjislative te institucionet e drejtësisë”, shtoi ai.
Shembulli më i dukshëm i këtyre rreziqeve është Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK). Florent Spahija nga KDI tregoi se organi që një vit më parë kishte 30 anëtarë, tani funksionon me vetëm shtatë.
“Ajo çfarë ka ndodhur, KPK-ja nga 30 anëtarë që kishte një vit më herët, tashmë e kemi me shtatë anëtarë. Pra, nga dhjetë prokurorë, është ulur në tre prokurorë plus kryeprokurori dhe tre kanë mbetur jashtë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi. Fakti që zgjidhen nga Kuvendi ka bërë të kuptohet se mund të ketë ndonjë ndikim politik. Megjithatë, ligji i ri ka parashikuar mekanizma të cilët kanë mundësi që të evitojnë ndikimin politik në raste të tilla”, tha Spahija.
Kalimi në përbërjen e re nuk ka qenë i qetë. Sipas KDI-së, mbledhjet e KPK-së në janar dhe në shkurt dështuan për mungesë kuorumi, ndërsa zgjedhjet e anëtarëve prokurorë të Këshillit përfunduan të kontestuara në gjykatë. Për KDI-në, kjo tregon se reforma nisi të zbatohej pa një plan të qartë për problemet që do të dilnin menjëherë pas hyrjes së saj në fuqi.
Një tjetër pikë e hapur është kostoja. Sipas analizës së KDI-së, vetëm themelimi i Byrosë Shtetërore kërkon së paku 1,2 milionë euro, pa llogaritur pagat dhe shpenzimet e tjera që do të pasojnë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

