Pas pesë ditësh në arrati dhe arrestimit të tij, Ç.Zh. tani rrezikon një muaj paraburgim. Prokuroria e Gjakovës e dyshon se, i maskuar dhe me thikë në dorë, mori rreth 8.000 euro nga një biznes në qendër të qytetit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë i ka kërkuar Gjykatës Themelore në këtë qytet që të dyshuarit me inicialet Ç.Zh. t'i caktohet masa e paraburgimit për 30 ditë. Ai dyshohet për grabitjen e rreth 8.000 eurove në biznesin "R.M.T" në rrugën "Anton Çeta".
Departamenti për Krime të Rënda i prokurorisë ka marrë njëkohësisht aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tij. Deri në vendimin e gjykatës, i cili ende nuk është marrë, Ç.Zh. mbetet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, të caktuar me vendim të prokurorit të shtetit.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00. I dyshuari, "i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës", fillimisht ka kërcënuar punonjësen e biznesit dhe më pas ka marrë paratë nga dollapi ku ato mbaheshin. Pas grabitjes ai ishte në arrati, derisa u arrestua më 15 tetor 2026.
Prokuroria e cilëson rastin si veprën penale "Grabitja", sipas nenit 317, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ç.Zh. konsiderohet i pafajshëm derisa gjykata të vendosë ndryshe.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

