Një përleshje në qendër të Mitrovicës së Jugut përfundoi me dy persona të moshës madhore të lënduar dhe me një të dyshuar të arrestuar. Policia thotë se lëndimet dyshohet të jenë shkaktuar nga një mjet i mprehtë.

Një person është arrestuar pas përleshjes që tronditi mbrëmjen, në sheshin "Mehë Uka", në qendër të Mitrovicës së Jugut, ku dy persona të moshës madhore mbetën të lënduar dhe u dërguan për trajtim mjekësor.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti, bëri të ditur se rasti u raportua rreth orës 21:44.
"Rreth orës 21:44, është raportuar për një përleshje në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë, ku dy persona të moshës madhore kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Sipas informatave të para, lëndimet dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Policia ka identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar. Hetuesit policorë janë duke vazhduar me veprime hetimore", tha Zahiti.
Në minutat e para pas ngjarjes, në qendër të qytetit u raportua për një rrahje në të cilën ishte përfshirë një grup personash, me dyshime se ishin përdorur armë të ftohta. Versioni zyrtar që pasoi e ngushtoi tabllonë: dy të lënduar, një i dyshuar i identifikuar dhe i vënë në pranga.
Identiteti i të lënduarve dhe i personit të arrestuar nuk është bërë publik, ashtu siç nuk dihet ende as motivi i konfliktit. I dyshuari mbetet i pafajshëm derisa të provohet e kundërta nga gjykata.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

