Bombolat e gazit që policia përdori kundër protestuesve në Prishtinë janë tani pjesë e një hetimi. Inspektorati Policor i Kosovës, bashkë me Prokurorinë Themelore, do të verifikojë nëse gazi kishte skaduar.

Bombolat e gazit lotsjellës që Policia e Kosovës përdori gjatë protestës në Prishtinë kanë përfunduar në tryezën e hetuesve. Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka nisur sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar për të vlerësuar mënyrën se si policia e menaxhoi protestën.
Përveç ankesave të paraqitura nga qytetarët, IPK ka konfirmuar se do të verifikohen edhe pretendimet për afatin e skadimit të gazit të përdorur. Dyshimet i ngriti ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, sipas të cilit policia hodhi gaz lotsjellës të modelit të vitit 2018, një gaz që pretendohet se kishte kaluar afatin e përdorimit. Bombolat në fjalë u filmuan nga Radio Dukagjini. Pretendimi deri tani nuk është vërtetuar.
Sipas IPK-së, hetuesit kanë filluar tashmë punën, si për ankesat e dorëzuara në zyrat e institucionit, ashtu edhe për rastet e hapura sipas detyrës zyrtare. Veprimet përfshijnë sigurimin e video incizimeve dhe dëshmive të tjera, marrjen e deklaratave dhe shqyrtimin e dokumentacionit zyrtar policor që lidhet me menaxhimin e protestës.
"IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren", deklaroi Inspektorati.
Protesta, gjatë së cilës u përdor gazi, u mbajt me kërkesën për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

