Personat që sulmuan gazetarin B. M. në Tiranë më 5 tetor ende nuk janë identifikuar. Policia e Shtetit premton se çështja do të përfundojë në Prokurori dhe paralajmëron se e drejta e protestës nuk mund të kthehet në mjet për të sulmuar ata që mendojnë ndryshe.

Një gazetar u sulmua në Tiranë më 5 tetor dhe personat e përfshirë në incident ende nuk janë identifikuar. Policia e Shtetit, e cila e identifikon gazetarin vetëm me inicialet B. M., njofton se strukturat e saj po kryejnë veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat, për të gjetur personat e përfshirë dhe për ta referuar çështjen në Prokurori.
Nuk është bërë e ditur se kush e kreu sulmin, as nëse gazetari pësoi lëndime.
Në reagimin për ngjarjen, policia u ndal gjerësisht te kufijtë e së drejtës për të protestuar. "Policia e Shtetit dënon çdo akt dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve dhe garanton të drejtën kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. Por ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të përdoret për të kanosur, shënjestruar apo sulmuar qytetarë të tjerë, për shkak të mendimeve dhe bindjeve të tyre", thuhet në deklaratë.
Institucioni paralajmëroi edhe kundër vetëgjyqësisë: "Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të shtetit."
Policia u kërkoi qytetarëve të shmangin përplasjet dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë, duke i ftuar ata që ndihen të kërcënuar të paraqiten në polici. "Çdo kallëzim do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin", theksoi ajo.
Deklarata mbyllet me një premtim për paanshmëri: "Policia e Shtetit do të mbrojë njësoj qytetarin që proteston dhe qytetarin që mendon ndryshe. Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim."
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

