Protesta për Ligjin për Dhomat e Specializuara përfundoi me përleshje, gaz lotsjellës dhe arrestime para Kuvendit të Kosovës. Deputeti Enver Hoxhaj u përball me policët në vend, ndërsa kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e krahasoi ndërhyrjen me veprimet e Serbisë.

Gazi lotsjellës mbushi sonte hapësirën para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kërkonin që Ligji për Dhomat e Specializuara të kalojë për votim në lexim të dytë. Ndërhyrja e Policisë së Kosovës u pasua nga përleshje në shesh dhe nga një valë reagimesh të ashpra politike.
Një nga zërat më të fortë erdhi nga vetë sheshi. Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, kërkoi komandantin e Policisë dhe iu drejtua policëve duke u thënë se e kishin tepruar me përdorimin e forcës. "Ku është komandanti, kjo është sjellje pahijshme, e keni tepru", tha Hoxhaj, duke e cilësuar sjelljen e policëve si të pahijshme.
Më vonë, para Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, i kritikoi ashpër veprimet e Policisë. Sipas tij, protestuesit nuk kishin bërë asnjë provokim ndaj policëve. "Nuk sulmohen invalidët, veteranët, fëmija e dëshmorëve nuk sulmohen kështu çka ka bë sot Albini. Është turpi më i madh, këtë vetëm Serbia ka bë", deklaroi Gucati.
Ai këmbënguli se përplasja nuk kishte nisur nga protestuesit: "Kanë qenë gazetarët me neve bashkërisht, asnjë polic nuk e kena provoku, asnjë nuk e kena shty, përveç atyre që sulmuan".
Në terren, situata mbeti e tensionuar për orë të tëra. Protestuesit u rikthyen në shesh për herë të tretë, pasi ishin shpërndarë nga Policia. Një tjetër protestues u arrestua dhe u ngrit me forcë nga dy policë. Mes turmës në shesh u pa edhe Ramush Haradinaj.
Raportohet se pas protestës 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore: një polic dhe 11 civilë.
Që në orët e para të mbrëmjes, protesta kishte ndikuar në lëvizjen në kryeqytet. Rruga nga lagjja Qafa në drejtim të Kuvendit u bllokua, qarkullimi në atë pjesë të qytetit u ndërpre dhe Policia e Kosovës e shtoi praninë e saj në zonë.
Në qendër të gjithë kësaj mbetet kërkesa e protestuesve: votimi në lexim të dytë i Ligjit për Dhomat e Specializuara, një çështje që sonte e zhvendosi përplasjen nga sallat e politikës në shesh.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

