Këshilli i Sigurimit zhvilloi raundin e dytë të sondazhit joformal për pasardhësin e Antonio Guterres. Carolyn Rodrigues Birkett nga Guajana kaloi në ballë, ndërsa favoritja e raundit të parë ra në vendin e dytë.

Gara për të udhëhequr Kombet e Bashkuara pas largimit të Antonio Guterres ka një favorite të re. Në raundin e dytë të sondazhit joformal të zhvilluar të premten, ambasadorja e Guajanës, Carolyn Rodrigues Birkett, doli në krye përballë shtatë kandidatëve të tjerë të deklaruar.
Sipas rezultateve që u qarkulluan pas votimit, Rodrigues Birkett mori tetë vota "inkurajuese", tre vota "dekurajuese" dhe katër anëtarë të tjerë nuk shprehën qëndrim. Ambasadorja e Danimarkës, Christina Markus Lassen, e cila e mban presidencën e Këshillit të Sigurimit për muajin gusht, konfirmoi se votimi kishte përfunduar.
Menjëherë pas saj u renditën diplomatja kostarikane Rebeca Grynspan dhe drejtuesi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, argjentinasi Rafael Grossi, secili me nga shtatë vota "inkurajuese". Grossi mori gjashtë vota "dekurajuese", ndërsa Grynspan katër. Grynspan kishte kryesuar fushën pas raundit të parë të votimit në korrik, por këtë herë humbi vendin e parë.
Në garë mbeten gjithashtu ish-presidenti i Senegalit, Macky Sall, ish-presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ekuadoriania Maria Fernanda Espinosa, ish-presidentja e Kilit, Michelle Bachelet, diplomati ugandez Olara Otunnu dhe diplomatja ekuadoriane Ivonne A-Baki.
Antonio Guterres e mban postin e sekretarit të përgjithshëm që nga viti 2017, por mandati i tij i dytë pesëvjeçar përfundon më 31 dhjetor. Megjithëse nuk ka kufizim formal për numrin e mandateve, askush nuk ka shërbyer më shumë se dy herë.
Këto sondazhe të fshehta shërbejnë për të matur mbështetjen mes 15 anëtarëve të Këshillit dhe për të ngushtuar gradualisht fushën, përpara se një rekomandim formal t'i dërgohet Asamblesë së Përgjithshme, e cila zakonisht e miraton zgjedhjen e Këshillit si formalitet. Për të kaluar në një votim formal të Këshillit të Sigurimit, një kandidati i nevojiten të paktën nëntë vota, ndërsa secili nga pesë anëtarët e përhershëm — Shtetet e Bashkuara, Kina, Franca, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar — mund ta vërë veton ndaj çdo emri.
Mund të zhvillohen disa raunde të tilla. Në raundet e mëvonshme, anëtarët e përhershëm përdorin një fletëvotim me ngjyrë të ndryshme, që zbulon nëse një kandidat ka marrë një votë "dekurajuese" nga njëri prej tyre.
Kushdo që do të marrë detyrën do të përballet me sfidën për të ruajtur peshën e OKB-së, që sipas kritikëve është zbehur vitet e fundit. Ata theksojnë se institucioni, i formuar pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ka arritur të parandalojë apo t'u japë fund konflikteve dhe krizave në botë, përfshirë luftën e Izraelit në Gaza dhe pushtimin rus të Ukrainës.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

