Drejtori i Pronës në Fushë Kosovë, Gëzim Zogiani, i arrestuar javën e kaluar për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk është më në detyrë. Kryetari Valon Prebreza e bëri publik vendimin bashkë me njoftimin për qytetarët.

Karrigia e drejtorit të Pronës në Komunën e Fushë Kosovës mbeti bosh. Kryetari i komunës, Valon Prebreza, njoftoi se ka marrë vendim për lirimin nga detyra të Gëzim Zogianit, i cili u arrestua javën e kaluar për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Vendimin Prebreza e publikoi bashkë me njoftimin drejtuar banorëve të komunës. "Siç ju kam njoftuar në reagimin tim paraprak, sot kam marrë vendim për lirimin nga detyra të drejtorit të Pronës, z. Gëzim Zogiani", shkroi ai, duke e lidhur hapin me atë që e quan "zotimin tim për një qeverisje transparente, të përgjegjshme dhe të pakompromis ndaj çdo dyshimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare".
Kryetari theksoi se largimi nga posti nuk nënkupton asnjë përfundim mbi fajësinë. "Ky veprim nuk paragjykon përgjegjësinë penale të askujt. Përcaktimi i fajësisë u takon vetëm organeve kompetente të drejtësisë, punën e të cilave e respektojmë plotësisht. Komuna e Fushë Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë pa rezervë me Prokurorinë dhe me çdo institucion tjetër përgjegjës për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje", u shpreh Prebreza.
Në fund të njoftimit ai shtoi një mesazh politik: "Qëndrimi ynë mbetet i qartë: në Komunën e Fushë Kosovës nuk do të ketë mbrojtje politike për asnjë emër, pozitë apo interes, asgjë nuk do të vendoset mbi ligjin dhe besimin e qytetarëve".
Zogiani mbetet i dyshuar dhe gëzon prezumimin e pafajësisë derisa një gjykatë të vendosë ndryshe. Nuk është bërë e ditur ndonjë qëndrim i tij lidhur me arrestimin dhe me vendimin e komunës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

