Asnjë parti nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për një takim mbi krizën politike. Pas PDK-së dhe AAK-së, edhe LDK-ja tha "jo".

Përpjekja e ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për t'i ulur në një tryezë përfaqësuesit e partive politike mbi krizën politike ka mbetur pa asnjë përgjigje pozitive. Ftesa e saj për një takim nesër në orën 9 është refuzuar radhazi nga forcat kryesore politike.
PDK-ja dhe AAK-ja e hodhën poshtë ftesën menjëherë, ndërsa tani edhe LDK-ja është përgjigjur negativisht. Lajmin e konfirmoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një deklaratë për televizionin Dukagjini.
Abdixhiku e mbështeti refuzimin te statusi që partia e tij i njeh Haxhiut. Sipas tij, takimet e këtij niveli zhvillohen vetëm me kryetarët e partive dhe, në rrethanat aktuale, i vetmi bashkëbisedues i mundshëm mbetet kryetari i LVV-së, Albin Kurti.
"Ne takimet i zhvillojmë me kryetarët e partive, në këtë rast takimin e vetëm që mund ta bëjmë është me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Në pikëpamjet tona, zonja Haxhiu është deputete e Kuvendit dhe, në këtë rrjedhë, ne mund të flasim vetëm me ata që janë përgjegjës për këtë punë", tha Abdixhiku.
Me pozicionimin e LDK-së, ftesa e Haxhiut për një dialog mbi krizën politike mbetet aktualisht pa mbështetjen e partive opozitare kryesore.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

