Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njofton se prej 16 prillit deri më 13 shtator 2026 janë konfirmuar 164 raste me fruth, gjashtë prej tyre vetëm gjatë javës së fundit. Pothuajse të gjithë të prekurit nuk ishin vaksinuar me MMR.

Numri i rasteve me fruth në Kosovë vazhdon të rritet. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 13 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 164 raste, ndërsa vetëm në javën e fundit janë regjistruar gjashtë raste të reja.
Të dhënat e Institutit nxjerrin në pah një tipar që përsëritet në secilin raportim: mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë te personat që nuk janë vaksinuar me vaksinën MMR.
Për këtë arsye IKShPK ka përsëritur thirrjen për vaksinim të rregullt sipas kalendarit, duke bërë të ditur se paralelisht është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si catch-up, që i mundëson imunizimin fëmijëve që për arsye të ndryshme e kanë shtyrë vaksinën. Gjatë këtij viti, mbi 2.794 fëmijë të grup-moshës 2 deri në 5 vjeç janë vaksinuar përmes këtij programi.
Instituti e ka vlerësuar pozitivisht angazhimin e prindërve, të profesionistëve shëndetësorë, të institucioneve dhe të qytetarëve për rritjen e mbulesës me vaksina. "Çdo fëmijë i vaksinuar është një fëmijë më shumë i mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes së përhapjes së sëmundjes", thuhet në njoftimin e IKShPK-së, i cili përfundon me formulën: "Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur!"
Sipas Institutit, vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi. Nuk është bërë e ditur se sa nga rastet e konfirmuara kanë kërkuar trajtim spitalor, as shpërndarja e tyre nëpër komuna.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

