Ministria e Jashtme e Francës ka këshilluar shtetasit francezë në Kosovë të qëndrojnë larg tubimeve politike të planifikuara nga ora 10:00 në të gjitha qytetet e vendit dhe të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme deri në fund të ditës. Të njëjtën ditë shpallet aktgjykimi në rastin "Thaçi dhe të tjerët".

Në të gjitha qytetet e Kosovës, nga ora 10:00 e 16 shtatorit, pritet një valë tubimesh të mëdha politike. Për shkak të tyre, Ministria e Jashtme e Francës ka lëshuar një njoftim me thirrje për vigjilencë ndaj shtetasve francezë që ndodhen në Kosovë, të cilët këshillohen të mos afrohen dhe të kufizojnë lëvizjet.
"Tubime, thirrje për vigjilencë. Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës. Shtetasit francezë këshillohen të qëndrojnë larg këtyre tubimeve. Ata duhet të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme brenda qyteteve dhe në gjithë vendin deri në fund të ditës", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Francës.
Thirrja, e paralajmëruar edhe si "lajm i urgjent", nuk përmend arsyen pse janë planifikuar këto tubime.
Data përkon me një zhvillim të madh gjyqësor: më 16 shtator shpallet aktgjykimi në rastin "Thaçi dhe të tjerët" në Gjykatën Speciale në Hagë.
Franca nuk është e vetmja që ka ngritur nivelin e kujdesit. Edhe përfaqësi të tjera diplomatike dhe misione ndërkombëtare u kanë kërkuar punëtorëve dhe shtetasve të vendeve ose organizatave që përfaqësojnë të shmangin tubimet, udhëtimet dhe daljet e panevojshme jashtë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

