Shkollat e mesme franceze janë kthyer në vatra përplasjesh me policinë: zjarre, barrikada dhe qindra të ndaluar. Në rrënjë të zemërimit janë klasat e rrënuara dhe mësuesit që nuk zëvendësohen.

Zjarre para portave të shkollave, barrikada me kosha plehrash të djegur dhe përplasje të ashpra me policinë: protesta e nxënësve të shkollave të mesme në Francë u përshkallëzua të mërkurën dhe të enjten, pas gati një jave trazirash.
Vetëm të mërkurën policia ndaloi rreth 625 persona, kryesisht të rinj, sipas ministrit francez të Brendshëm, Laurent Nunez. Ai bëri të ditur se 83 policë janë plagosur. Sipas shifrave të qeverisë, 159 nxënës dhe punonjës arsimi janë lënduar gjatë ditëve të protestave, mes tyre një nxënës që humbi pjesërisht funksionin e dorës pasi ndezi një fishekzjarr.
Të enjten përplasjet u dukën më të forta në disa qytete. Në Nantes iu vu zjarri liceut Nelson Mandela, ndërsa studentët e universiteteve iu bashkuan protestave. Kryeministri francez thirri për pasditen e hershme një mbledhje ndërministrore krize për trazirat.
Tensioni nuk lindi brenda natës. Protestat nisën në disa shkolla javën e kaluar, por morën hov të martën, kur skenat e dhunës lanë në hije një ditë mbarëkombëtare proteste të sindikatave, punëtorëve dhe nxënësve kundër buxhetit të ardhshëm të qeverisë. Marshimet e sindikatave atë ditë ishin kryesisht paqësore. Situata para shkollave u përkeqësua më tej të mërkurën.
Rreth 400 shkolla në mbarë vendin janë prekur nga bllokadat e nxënësve, të mbështetura në disa institucione edhe nga vetë stafi mësimor. Toulouse, Nantes, Rennes, Lyon dhe Lille kanë qenë skenë përplasjesh të dhunshme mes nxënësve dhe policisë, si dhe zjarrvënieve brenda ose pranë mjediseve shkollore. Në qendër të tensioneve janë shkollat e periferive më të varfra.
Vatra kryesore rreth Parisit është Saint-Denis, një nga zonat më të skamura të Francës. Pamjet e publikuara tregojnë nxënës që ndezin zjarre para portave të liceut Paul Éluard, ku rrëzuan edhe një pjesë të gardhit. Të martën, policia speciale u prit atje me fishekzjarre.
Pas zjarreve qëndron një zemërim i grumbulluar ndaj gjendjes së arsimit. Nxënësit ankohen se mësuesit që largohen nuk zëvendësohen dhe se ndërtesat shkollore janë në gjendje të rëndë. Një nxënëse 17-vjeçare e liceut Paul Éluard, që aktualisht është në rikonstruksion, e përshkroi kështu përditshmërinë: "Nuk ka dritare, në tualetet e parafabrikuara nuk ka ujë, ka kacabu dhe minj kudo në shkollë. Mensa e shkollës është shumë e shtrenjtë, nuk ka letër higjienike në tualete dhe duhet të shkojmë t'u kërkojmë mbikëqyrësve të shkollës që të na japin." Ajo shtoi: "Ndërtesat janë të rrënuara, në dimër në klasat e parafabrikuara është shumë ftohtë, -5 gradë Celsius, dhe në verë është 40 gradë Celsius."
Kjo krizë vjen ndërsa qeveria e presidentit Emmanuel Macron po kërkon një ekuilibër mes borxhit publik historik dhe shpenzimeve shtetërore tashmë të tendosura.
Debati u ndez edhe në planin politik. Ligjvënës të partisë së majtë ekstreme Franca e Pankapshme shkuan në shumë shkolla për të mbështetur protestat, mes tyre edhe kryetari i bashkisë së Saint-Denis, Bally Bagayoko, i cili deklaroi se "dhuna mund të jetë legjitime."
Macron, i cili ndodhej të mërkurën në një vizitë shtetërore në Spanjë, iu përgjigj ashpër para gazetarëve. "I kuptoj ankthet, ndonjëherë zemërimin që mund të kenë të rinjtë tanë," tha ai. "Megjithatë, asnjë nga këto frikë, asnjë nga këto debate, nuk e legjitimon dhunën. Dhe në asnjë rast ata që mbajnë përgjegjësi politike (të zgjedhurit), është një term ndoshta i zgjedhur keq, nuk mund ta legjitimojnë dhunën. Kemi parë shumë politikanë para shkollave duke nxitur nxënësit, mendoj se kjo është e rëndë."
Presidentja e rajonit Île-de-France, Valérie Pécresse, shkoi më tej. Në një postim në rrjetin X të martën në mbrëmje, ajo premtoi se do t'i dërgojë Bagayokos faturën prej 100 mijë eurosh për riparimin e dëmeve në liceun Paul Éluard. Pécresse e vlerësoi koston e protestave në rajon në rreth 1 milion euro.
Në qendër të vëmendjes janë edhe videot që tregojnë dy mësues, të cilët dyshohet se u sulmuan nga nxënës. Pamjet u dënuan nga presidenti francez, zyrtarë të tjerë dhe sindikatat e mësuesve.
Por kritika ka edhe për policinë. Pamje të tjera tregojnë agjentë që spërkasin adoleshentë me sprej piperi dhe disa raste kur policë rrëzojnë me forcë protestues të rinj. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, një adoleshent 14-vjeçar goditet në fytyrë nga një granatë me gaz lotsjellës, e qëlluar nga një polic pothuajse nga afër. Avokati i familjes së tij e akuzoi policinë për një "shpërthim dhune" dhe bëri të ditur se familja po paraqet një ankesë zyrtare në polici.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

