Ushtarakë amerikanë në detyrë nxorën fotografi nga bazat e goditura në Arabinë Saudite dhe Kuvajt. "Po qëndrojmë atje me sy mbyllur dhe po marrim grushte në fytyrë", tha njëri prej tyre.

Një avion radar Boeing E-3 Sentry i këputur në dysh, me pjesën e bishtit të shndërruar në një rrëmujë metali. Rimorkio të shtypura si letër. Një ndërtesë katërkatëshe e çarë nga një goditje. Këto janë pamjet e para nga brenda bazave amerikane në Lindjen e Mesme pas sulmeve iraniane, dorëzuar nga ushtarakë amerikanë në detyrë dhe të siguruara nga rrjeti amerikan CBS News, partner i BBC-së.
Fotografitë janë të padatuara dhe janë bërë në baza e objekte amerikane në Arabinë Saudite dhe në Kuvajt. Ato tregojnë dëme të përhapura: një avion radar të prerë, rimorkio të rrafshuara dhe ndërtesa rëndë të dëmtuara. Pamjet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga BBC. Shtëpia e Bardhë dhe Komanda Qendrore Amerikane janë kontaktuar për koment.
Një pjesëtar i ushtrisë, emri i të cilit nuk u bë publik nga CBS, tha: "Ky është dëm i madh në bazat tona që nuk i është komunikuar publikut amerikan". Dhe shtoi: "Po qëndrojmë atje me sy mbyllur dhe po marrim grushte në fytyrë".
Një nga fotografitë tregon Boeing E-3 Sentry-n e shkatërruar në Bazën Ajrore Princ Sulltan në Arabinë Saudite. Megjithëse pamja nuk ka datë, BBC Verify kishte konfirmuar më parë, në mars, një fotografi të ngjashme, në dukje të të njëjtit avion radar. Avionët Boeing E-3 Awacs përdoren për të zbuluar dhe ndjekur objektiva të mundshëm në distanca të gjata, duke dhënë paralajmërim të hershëm për kërcënime. Në atë kohë, një zyrtar amerikan i tha agjencisë Reuters se 12 pjesëtarë të forcave amerikane ishin plagosur, dy prej tyre rëndë, në një sulm iranian ndaj bazës ajrore.
Dy pamje të tjera, që raportohet të jenë nga Camp Beuhring në Kuvajt, tregojnë rimorkio të përthyera dhe një strukturë të madhe si tendë të bërë copë-copë, ndërsa tymi ngrihej mbi vendngjarje. Një fotografi tjetër paraqet një ndërtesë katërkatëshe të dëmtuar nga një goditje iraniane në Camp Arifjan, po në Kuvajt. Dëme në atë objekt, përfshirë në pajisje të komunikimit satelitor, ishin raportuar në mars, por nuk është e qartë nëse pamja i përket të njëjtit sulm.
Fotografitë dolën një ditë pas raportit të inspektoratit të Pentagonit, i cili konstatoi se goditjet iraniane kishin "dëmtuar dhe shkatërruar qindra ndërtesa dhe struktura në bazat amerikane në Kuvajt, Bahrejn, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Irak, Oman dhe Jordani gjatë konfliktit". Raporti vlerëson humbjet në pajisje në 3.7 miliardë dollarë (2.8 miliardë funte), ndërsa shpenzimet totale amerikane për luftën deri më 29 qershor arrijnë 33.4 miliardë dollarë (24.7 miliardë funte).
Sipas të njëjtit dokument, në muajt pas nisjes së luftës "dhjetëra avionë amerikanë u shkatërruan ose u dëmtuan". Ndër ta renditen pesë avionë karburimi të "dëmtuar ose shkatërruar në tokë në Arabinë Saudite nga municionet iraniane".
Konflikti nisi më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit. Që nga atëherë, Irani ka goditur në mënyrë të përsëritur bazat amerikane dhe shtetet aleate në Gjirin Persik, si dhe Izraelin. Presioni publik dhe politik mbi Shtëpinë e Bardhë për t'i dhënë fund luftës me Iranin është rritur.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

