Ekipet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë hyrë në biznese të fotokopjimit dhe riprodhimit në rajonet e Prishtinës dhe Gjilanit, në një varg kontrollesh kundër shkeljeve të së drejtës së autorit dhe piraterisë.

Bizneset që fotokopjojnë, riprodhojnë dhe shpërndajnë materiale të mbrojtura nga e drejta e autorit janë vënë nën kontroll në rajonet e Prishtinës dhe të Gjilanit. Inspektimet janë zhvilluar nga ekipet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), si pjesë e një vale kontrollesh të intensifikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).
Sipas MINTI-t, qëllimi i kontrolleve është verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore gjatë riprodhimit dhe përdorimit të materialeve të mbrojtura, si dhe parandalimi i përdorimit, riprodhimit apo shfrytëzimit të paautorizuar të veprave të mbrojtura.
Baza ligjore e aksionit janë Ligji Nr. 08/L-205 për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta dhe kompetencat e përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
MINTI dhe IQMT kanë bërë të ditur se përmes këtyre aksioneve synojnë mbrojtjen e të drejtave të autorëve dhe titullarëve të të drejtave, rritjen e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë dhe krijimin e një tregu ku veprimtaria ekonomike zhvillohet në përputhje me ligjin.
Sa subjekte janë kontrolluar, çfarë është gjetur dhe nëse është shqiptuar ndonjë masë, nuk është bërë e ditur. Ministria ka njoftuar se mbikëqyrja do të vazhdojë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u mbështetur edhe në ankesat dhe informacionet e pranuara nga konsumatorët për raste të dyshuara të shkeljes së të drejtës së autorit dhe piraterisë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

