Një fotografi në rrjete sociale, ku dukej një pistoletë e mbajtur në brez, u bë shkak që policia të nisë kërkimin për një 19-vjeçar nga Istogu. Brenda pak minutash, i riu shkoi vetë në stacion dhe dorëzoi armën.

Mjaftoi një fotografi e hedhur në rrjete sociale. Në brezin e një 19-vjeçari nga Istogu shihej një pistoletë dhe kaq ishte e nevojshme që policia ta identifikonte të riun dhe të nisë kërkimin për ta lokalizuar. Rasti ka ndodhur më 14 shtator, rreth orës 16:00.
Njësitet policore shkuan fillimisht në shtëpinë e tij, por i dyshuari nuk u gjet aty. Policia kontaktoi më pas axhën e tij, i cili deklaroi se ishte në dijeni për fotografinë dhe për ekspozimin e armës, duke siguruar se, sapo nipi të kthehej, do të paraqitej në stacion.
Premtimi u mbajt shpejt: rreth orës 16:15, vetëm pak minuta më vonë, i riu u paraqit vetë në polici. Me vete solli edhe armën që dyshohet se shihej në foto, një pistoletë me gaz të tipit ZORAKI M 906-B, bashkë me një karikator pa municion.
Arma u sekuestrua, ndërsa i riu u intervistua në cilësinë e të dyshuarit. Për rastin u njoftua prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit është iniciuar procedura për "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës". Pas përfundimit të procedurave, 19-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
I dyshuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

