Një fotografi ku një burrë shfaqej me një armë të gjatë në dorë dhe një tjetër në brez mjaftoi për të vënë në lëvizje policinë, prokurorinë e Vushtrrisë dhe, për pak kohë, edhe Prokurorinë Speciale. Në shtëpinë e kontrolluar nuk u gjet asgjë e dyshimtë.

Një fotografi e publikuar në Facebook, ku një person shihej me një armë të gjatë në dorë dhe një armë tjetër në brez, ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorinë në Vushtrri. Rasti është trajtuar më 18 shtator, rreth orës 09:20, pasi përmes aplikacionit mobil ishte pranuar informacioni për fotografinë e qarkulluar në rrjetet sociale.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, një 40-vjeçar me iniciale B.M., në rrugën "Enver Tahiri" në Vushtrri. Gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Përmbajtja dhe përshkrimi i fotografisë e çuan rastin edhe një shkallë më lart: për të është kontaktuar Prokuroria Speciale. Pas sqarimit të rrethanave, ajo ka vlerësuar se deri në atë fazë nuk kishte elemente që çështja të trajtohej nga kompetenca e saj dhe ka udhëzuar që veprimet të vazhdojnë sipas udhëzimeve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
40-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri dhe është intervistuar lidhur me fotografinë. Gjatë deklarimit, ai ka pretenduar se "armët që shihen në fotografi janë montazh".
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar. Rasti, i cilësuar si "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve", mbetet nën hetime. I dyshuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

