Vajza 8-muajshe që mbijetoi rënien nga ballkoni në krahët e nënës së saj nuk është më në rrezik kritik. Policia e Nju Jorkut kërkon të marrë në pyetje ish-të dashurin e gruas së vrarë, ndërsa një video sigurie tregon një burrë me kapuç që largohet nga vendngjarja.

Vajza 8-muajshe që mbijetoi një rënie prej të paktën 15 katesh në Bronks të Nju Jorkut ka kaluar të mërkurën në gjendje stabile, sipas autoriteteve. Foshnja ishte shtruar në spital në gjendje kritike, pasi nëna e saj 23-vjeçare, që e mbante në krahë, u shty nga ballkoni i një apartamenti herët të martën dhe humbi jetën.
Zyrtarët thonë se gjendja e vogëlushes po përmirësohet. Sipas autoriteteve, trupi i nënës mund ta ketë zbutur goditjen e foshnjës gjatë rënies.
Vdekja e gruas po hetohet si vrasje, ka bërë të ditur Departamenti i Policisë së Nju Jorkut (NYPD). Detektivët vazhdojnë të kërkojnë ish-të dashurin e saj për ta marrë në pyetje në lidhje me rastin. Burimet policore nuk e kanë lidhur atë drejtpërdrejt me ngjarjen dhe nuk e kanë identifikuar zyrtarisht si të dyshuar.
Një nga elementet kryesore të hetimit është një video sigurie që policia po e shqyrton. Sipas burimeve policore, pamjet tregojnë një burrë me një bluzë me kapuç duke u larguar ndërkohë që policët po mbërrinin në vendngjarje. Besohet se burri në video është ish-i dashuri. Po këto burime shtojnë se në adresën e gruas kishte një histori dhune në familje.
Ngjarja ndodhi në ndërtesën Allerville Arms, në rrugën Olinville Avenue të lagjes Allerton. Një banore e ndërtesës tregoi se në mes të natës kishte dëgjuar të bërtitura, përpara se britmat t'i çonin njerëzit te trupi i gruas jashtë pallatit.
Një fqinje tjetër rrëfeu se e kishte dëgjuar gruan e re duke iu lutur dikujt pak çaste përpara se ajo dhe foshnja të binin nga ballkoni. "E dëgjova duke bërtitur dhe duke ulëritur: 'Të lutem, mos e bëj këtë. Foshnja ime. E di që foshnja ime është e frikësuar. Shiko fytyrën e saj'", tha fqinja. "Në çastin tjetër, e dëgjoj të ulërijë dhe shoh diçka që përplaset në tokë."
Deri tani nuk është raportuar asnjë arrestim në lidhje me vrasjen.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

