Nga Shtutgarti te qytete të tjera gjermane dhe në Zvicër, bashkatdhetarët kanë dalë në rrugë kundër vendimit të Gjykatës Speciale, me thirrje për lirimin e çlirimtarëve. Një protestë tjetër paralajmërohet para selisë së OKB-së në Nju-Jork.

Rrugët e Shtutgartit u mbushën me flamuj kuq e zi, me flamurin e Kosovës dhe me atë të UÇK-së. Bashkatdhetarë të shumtë nga Gjermania dhe jo vetëm dolën në protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale, në një tubim që u zhvillua paqësisht dhe u shoqërua me thirrje për lirimin e çlirimtarëve.
Shtutgarti nuk ishte i vetmi qytet. Gjatë ditës së sotme protesta u mbajtën edhe në rajone të tjera të Gjermanisë, si dhe në Zvicër, në një valë reagimesh të diasporës shqiptare ndaj vendimit të gjykatës me seli në Hagë.
Reagimi po zgjerohet edhe përtej Evropës: paralajmërohet një protestë para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork ndaj vendimit për çlirimtarët.
Në ditën e protestave, Daut Haradinaj publikoi foto nga sheshi, shoqëruar me mesazhin: "Sot ose i gëzohesh dënimit si Serbia, ose e kundërshton si shqiptar". Ky qëndrim ishte një nga reagimet më të zëshme publike ndaj vendimit, të cilin protestuesit e kundërshtojnë hapur.
Në skenën politike të Kosovës, vendimi ka nxitur edhe kërkesa për dorëheqje. Ndaj kërkesës për dorëheqjen e Gërvallës ka reaguar për herë të parë partia Guxo.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

