Zjarri ka arritur pranë shtëpive në lagjen Pepaj të Pukës. Nënkryetari i bashkisë njofton se janë djegur katër banesa, ndërsa banorët e zonave të rrezikuara janë larguar në siguri.

Flakët kanë ardhur deri te pragjet e shtëpive në Pukë. Në lagjen Pepaj, ku situata mbetet më e rënduar, zjarri është afruar pranë banesave dhe ka lënë pas katër shtëpi të djegura.
Nënkryetari i Bashkisë Pukë, Ferit Ringaj, ka bërë të ditur se banorët e zonave të rrezikuara janë evakuuar për t'u shmangur çdo rreziku për jetën. Bashkia thotë se ka siguruar akomodimin e tyre në ambiente të caktuara për këtë qëllim.
"Situata paraqitet problematike. Nga ekipet tona të shpëtimit po bëhen të gjitha përpjekjet. Trupa të ushtrisë, të gjitha kapacitetet që ka mundësi të angazhojë, bashkia Pukë. Kemi aktualisht 4 shtëpi banimi që janë djegur. Bashkia ka marrë të gjitha masat për evakuimin e banorëve dhe akomodimin e tyre në ambiente që bashkia ka caktuar", tha Ringaj.
Sipas tij, në operacion janë përfshirë edhe zjarrfikës nga bashki të tjera, të cilët po ndihmojnë në izolimin e vatrave të zjarrit. Ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri: një helikopter i Forcave të Armatosura po merr pjesë në përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Ekipet në terren vijojnë punën për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit drejt zonave të banuara.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

