Një zjarr i madh, i dyshuar si i qëllimshëm, është përhapur gjatë natës drejt malit të Çikës mbi fshatin Dukat. Terreni i vështirë malor po e bën ndërhyrjen të gjatë dhe të komplikuar.

Nga katër vatra të vogla në orën 19:00 të mbrëmjes së djeshme, zjarri mbi fshatin Dukat u shndërrua brenda natës në një front të gjerë flakësh që përparon drejt malit të Çikës. Dyshohet se zjarri është i qëllimshëm.
Forcat zjarrfikëse dhe mjetet e shërbimit zjarrfikës mbërritën në terren që prej orës 04:00 të mëngjesit. Në operacion janë angazhuar edhe rreth 40 forca të ushtrisë, nën drejtimin e Strukturave të Emergjencave Civile.
Puna aktuale përqendrohet te izolimi i vatrave, por terreni malor e i vështirë e ngadalëson ndërhyrjen, e cila pritet të zgjasë me orë. Zjarrfikësit duhet të pajisen me ujë dhe ushqime për të përballuar qëndrimin e gjatë në lartësi.
Për momentin era nuk është e fortë dhe nuk favorizon përhapjen e flakëve. Rreziku qëndron pikërisht te ky faktor: në rast ere të fortë, zjarri do të rrezikonte të përparonte në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë, një nga zonat më të vlerësuara natyrore të vendit.
Forcat në terren vijojnë ndërhyrjen me shpresën që vatrat të izolohen para se flakët të përparojnë më tej.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

