Protestat pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë sjellë fishekzjarre mbi objektin e EULEX-it, zjarrfikës në vendngjarje dhe dy persona të shoqëruar në polici, njëri prej tyre i ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.

Fishekzjarre të hedhura mbi kulmin e objektit të EULEX-it dhe zjarrfikës të dërguar në vendngjarje: kështu u shtuan tensionet në protestat që vazhdojnë pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë këtyre protestave dy persona janë shoqëruar në polici. Njërit prej tyre i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, me vendim të prokurorit, ndërsa personi tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike.
Sipas Policisë, ndalimet erdhën pas tensioneve pranë bazës së EULEX-it dhe objektit të Qeverisë. Në të dyja pikat, disa protestues tentuan të kalonin rrethojat dhe kordonin policor, ndërsa u hodhën gurë dhe sende të forta.
Rrjedha e ngjarjeve, ashtu siç e përshkruan Policia, nisi në sheshet e Prishtinës, ku qytetarët u mblodhën fillimisht. Më pas një pjesë e tyre u nisën drejt bazës së EULEX-it, ku disa u përpoqën të depërtonin me forcë brenda rrethojave dhe hodhën sende të ndryshme drejt objektit. Vala e protestuesve vijoi më vonë drejt objektit të Qeverisë, ku pati sërish përpjekje për të kaluar rrethojat dhe kordonin e policisë.
Për shkak të situatës, qarkullimi u ndërpre përkohësisht në dy akse: në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë dhe në rrugën "Bill Klinton".
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që pakënaqësitë t'i shprehin në mënyrë të qetë dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
Protestat vijojnë si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

