Në Festivalin Folklorik Maqedonas në Pustec, ku mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, u luajt vetëm himni i RMV-së. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e cilësoi mospërfshirjen e himnit shqiptar "mungesë serioze".

Në Pustec, në zemër të Prespës së Vogël, Festivali Folklorik Maqedonas u kthye sërish në shkak debati për protokollin shtetëror. Në aktivitetin ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u luajt vetëm himni i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa himni kombëtar shqiptar nuk u ekzekutua.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) reagoi duke shprehur keqardhje për mosluajtjen e himnit shqiptar në një aktivitet të zhvilluar në territorin e Shqipërisë. Sipas ministrisë, ndonëse eventi ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe e të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik.
"Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë. Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi", thuhet në deklaratën e MEPJ-së.
Ministria e vendosi çështjen në kuadrin e marrëdhënieve fqinjësore. "Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme. Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona", vijon deklarata.
Kjo është hera e dytë në një periudhë të shkurtër që ngrihen pikëpyetje për respektimin e himnit shqiptar në aktivitete të zhvilluara në Pustec, zonë ku jeton komuniteti maqedonas i Prespës së Vogël.
Në fjalimin e tij, Mickoski u ndal gjerësisht te komuniteti maqedonas në Shqipëri dhe premtoi mbështetje më të madhe institucionale nga qeveria e vendit të tij. Ai njoftoi se kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit e maqedonasve në Shqipëri do të ftohen në qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të diskutuar një plan konkret mbështetjeje. "Dëshirojmë që një pjesë të këtyre projekteve, brenda mundësive tona, ta mbështesim", tha ai.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua ruajtjes së gjuhës dhe identitetit maqedonas. Kryeministri u bëri thirrje të rinjve maqedonas të zonës të arsimohen, të udhëtojnë dhe të integrohen në Evropë, pa harruar rrënjët. "Mësoni, udhëtoni, flisni gjuhë të huaja, jini të suksesshëm dhe qytetarë modernë evropianë, por kurrë, kurrë mos e harroni gjuhën tuaj amtare maqedonase, historinë e familjes suaj dhe vendin nga i cili e keni origjinën", u shpreh ai.
Mickoski deklaroi se Maqedonia e Veriut duhet të jetë e pranishme në Prespën e Vogël në mënyrë të vazhdueshme, përmes institucioneve kulturore, shkollave, universiteteve, artistëve, kompanive dhe qytetarëve. Ai kërkoi më shumë mbështetje për shoqatat kulturore, libra në gjuhën maqedonase, mundësi për mësimin e gjuhës, shkëmbime mes nxënësve dhe të rinjve dhe lidhje më të forta institucionale me komunitetin maqedonas në Shqipëri. "Ky festival është shumë më tepër se këngë, valle dhe kostume", tha kryeministri maqedonas, ndërsa përcolli edhe një mesazh respekti e miqësie ndaj Shqipërisë.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

