Një fermer dëshmoi se kishte dhënë mbi 7 mijë euro për pajisje bletarie që nuk i mori asnjëherë. Në Gjykatën Themelore të Prishtinës vazhdon gjykimi ndaj tre të akuzuarve për një skemë me grante e subvencione fiktive, me dëm të pretenduar rreth 600 mijë euro.

Premtimi u bëhej fermerëve të Kosovës: grante e subvencione për bletari, fidanë dhe pajisje bujqësore, të siguruara, sipas të akuzuarve, përmes marrëveshjeve me Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Bujqësisë. Për ta marrë, aplikuesve u kërkohej të paguanin paraprakisht nga 25 deri në 30 për qind të vlerës së projektit, plus Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Paratë kalonin në llogaritë bankare të një organizate joqeveritare dhe, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, tërhiqeshin menjëherë, ndërsa projektet nuk realizoheshin.
Kjo skemë është tani në bankën e të akuzuarit. V. H. është paraqitur sërish para trupit gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të kryesuar nga gjyqtari Agim Kuqi, në kuadër të lëndës PKR.nr.109/17. Bashkë me të, në këtë çështje penale akuzohen edhe dy persona të tjerë. Të tre ngarkohen me veprat penale "Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm" dhe "Mashtrimi".
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dy prej të akuzuarve kishin bashkëthemeluar organizatën joqeveritare "Qendra për Avokim dhe Diplomaci" (QAD), përmes së cilës dyshohet se krijuan besim të rremë te qytetarët, shumica e tyre fermerë. QAD-i kishte selinë qendrore në Prishtinë, ndërsa degët i kishte shtrirë edhe në Lipjan, Shtime, Malishevë, Ferizaj dhe Suharekë. Prokuroria pretendon se në këtë mënyrë të akuzuarit përfituan në mënyrë të kundërligjshme rreth 600 mijë euro.
Gjatë zhvillimit të procesit, disa nga fermerët e dëmtuar kanë deklaruar se kishin paguar mijëra euro për projekte të ndryshme bujqësore, përfshirë pajisje për bletari dhe mbjelljen e fidanëve, por që grantet e premtuara nuk u realizuan asnjëherë. Në një nga dëshmitë e mëparshme, një fermer tregoi se kishte paguar mbi 7 mijë euro si pjesëmarrje në një projekt për pajisje bletarie me vlerë të përgjithshme mbi 28 mijë euro. Projekti, sipas tij, nuk u zbatua dhe ai u ndje i mashtruar e i dëmtuar.
Aktakuza ishte ngritur më 29 mars 2017, çka e bën këtë një nga rastet më të zgjatura të natyrës ekonomike që vazhdon të shqyrtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda. Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

