Mbi 15 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale në Ferizaj në vitin 2027, nga bulevardet dhe shkollat e reja te qendrat shëndetësore. Buxheti kaloi në një seancë ku LDK dhe Vetëvendosje u larguan pasi kërkesa e tyre për rendin e ditës u refuzua.

Ferizaji ka buxhetin e tij për vitin 2027: 56,102,329 euro, nga të cilat 15,350,388 euro shkojnë për investime kapitale. Dokumenti u miratua nga Kuvendi Komunal në një seancë të rregullt që u shoqërua me largimin e dy subjekteve opozitare nga salla.
Përplasja nisi që në minutat e para. Përfaqësuesit e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Azemi dhe Brahim Osmani, kërkuan ndryshimin e rendit të ditës. Kërkesa nuk kaloi dhe anëtarët e të dyja subjekteve lëshuan sallën. Anëtarët e LDK-së nuk morën pjesë as në votimin e deklaratës së Kuvendit lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Seancën e drejtoi kryesuesi i Kuvendit Komunal, Xhavit Zariqi, ndërsa buxhetin e prezantoi kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale. Aliu e cilësoi dokumentin si vizionin e qeverisjes lokale për zhvillimin e qytetit.
"Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2027 arrin lartësinë në vlerën totale 56,102,329.00, e që, ndarë vetëm në fushën e investimeve kapitale, kemi 15,350,388 për projektet kapitale të Komunës së Ferizajt për vitin kalendarik 2027", tha Aliu.
Në qendër të planit janë hapësirat publike të qytetit: zgjerimi i Parkut të Lirisë, Parku i Ri i Qytetit dhe ndërtimi i Bulevardit të Rinisë. Sipas kryetarit, parashihet edhe ndërtimi i sheshit që shtrihet nga rruga "Madeleine Albright" deri te Teatri i Qytetit, si dhe vazhdimi i projektit për Unazën e Brendshme të Ferizajt.
Pjesë e buxhetit janë edhe pesë rrugë që synojnë të lidhin qytetin me zonën rurale: Naim Beka-Epopeja e Jezercit, Manastirc-Pleshinë, Zaskok-Ferizaj, Varosh-Gurëz dhe Prelez i Jerlive-Prelez i Muhaxherëve. Krahas tyre janë planifikuar asfaltime në fshatra të ndryshme, ndërsa Aliu përmendi edhe investime në ujësjellës dhe kanalizim.
Në shëndetësi, plani përfshin objektin e ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, QMF-në numër 12 dhe qendrat e mjekësisë familjare në Koshare e Rakaj. Sipas Aliut, do të investohet gjithashtu në pajisje mjekësore dhe në fuqizimin e shërbimit të kujdesit paliativ.
Arsimi merr objekte të reja shkollore në Manastirc, Varosh dhe Tërrn, investime në hapësira sportive dhe digjitalizimin e klasave, të cilat do të pajisen me tabela digjitale.
Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, komuna planifikon rikonstruktimin e Kompleksit Memorial të Dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj, ndërtimin e Kompleksit Muzeor "Hani i Ferizit", një Palestër të Re Sportive në qytet dhe Stadiumin Ndihmës të Futbollit në Sazli.
Buxheti nuk ishte e vetmja pikë në rend dite. Raporti për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore u miratua njëzëri. Kuvendi diskutoi edhe Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për efikasitetin dhe efektivitetin në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt, si dhe propozimet për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

