Raporti i auditorit për lejet e ndërtimit në Ferizaj do të pritet edhe pesë ditë: LVV dhe LDK kërkuan shtyrjen e seancës së jashtëzakonshme, duke e arsyetuar me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kryesuesi Xhavit Zariqi e caktoi seancën për 22 shtator.

Seanca ku kryetari i Ferizajt duhej të përgjigjej për mbindërtimet pa leje nuk u mbajt. Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Xhavit Zariqi, nga Aleanca, aprovoi kërkesën e dy grupeve opozitare, LVV dhe LDK, për shtyrjen e seancës së jashtëzakonshme që ishte planifikuar për 17 shtator 2026. Në njoftimin drejtuar kuvendarëve thuhet se grupet parlamentare që iniciuan seancën kërkuan shtyrjen për shkak të zhvillimeve të fundit në vend, ndërsa data e re është caktuar për 22 shtator.
Arsyetimin e dhanë vetë kërkuesit: dy partitë thanë se me shtyrjen kanë dashur të solidarizohen me familjet e ish-liderëve të dënuar të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Qendra e LVV-së në Ferizaj vlerësoi se trajtimi i përmbajtjes së raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit është çështje tejet me rëndësi për qytetarët dhe komunën, sidomos pas gjetjeve të fundit, por shtoi se pas dënimit për krime lufte të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ky nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e seancës. Të njëjtën linjë mbajti edhe grupi parlamentar i LDK-së, që kërkoi shtyrjen për shkak të zhvillimeve të lidhura me shpalljen fajtorë të ish-liderëve të UÇK-së. Kërkesën e LDK-së në sekretarinë e Kuvendit Komunal e dorëzoi asamblisti Sakip Haliti.
Nuk është hera e parë që kjo seancë dështon. LVV dhe LDK kishin thirrur seancë të jashtëzakonshme edhe më 8 shtator. Përveç 16 kuvendarëve opozitarë të dy partive, kërkesës i ishin përgjigjur vetëm dy kuvendarë të tjerë: Habib Krosa, nga "Ne Mundemi", i cili është në koalicion me Aleancën e Zariqit dhe PDK-në e kryetarit Agim Aliu, si dhe Hatixhe Bungu Qerimi, ish-anëtare e Aleancës, tani e pavarur. Zariqi vetëm konfirmoi atë ditë se në sallë nuk ishin së paku 21 anëtarë, sa kërkohet për kuorum.
Opozita kishte kërkuar raportim të kryetarit Aliu, të Drejtorisë së Urbanizmit dhe të Inspektoratit të Ndërtimit. Në sallë u shfaq vetëm drejtori i Drejtorisë komunale të Urbanizmit dhe Mjedisit, Arbër Bytyçi, pa kuvendarët e pushtetit.
Në thelb të përplasjes është raporti i auditorit "Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Ferizaj", publikuar më 28 gusht 2026. Auditorët e ZKA-së shkruajnë se dhënia e lejeve ndërtimore nuk është menaxhuar në mënyrë efikase dhe efektive nga Komuna e Ferizajt.
Kryetari Aliu nuk është pajtuar me gjetjet. Komuna e Ferizajt akuzon nivelin qendror se për qëllime politike ia bllokoi aprovimin e hartave zonale dhe të dokumenteve të tjera urbanistike, duke e detyruar t'i jepte lejet me Ligjin për ndërtim. Megjithatë, nëpërmjet letrës së konfirmimit të 19 gushtit 2026, Aliu e ka njoftuar ZKA-në se e ka pranuar draftin e raportit, duke u pajtuar pjesërisht me gjetjet dhe rekomandimet, dhe ka zotuar se brenda 30 ditëve do t'ia dorëzojë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.
Të enjten, më 18 shtator 2026, LVV bëri të ditur se seanca do të mbahet të martën e javës së ardhshme.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

