Gruaja e regjistroi me celular gjysmë ore të sulmit dhe u lut të shihte edhe një herë djalin e saj trevjeçar. Ky regjistrim pritet të peshojë sërish në apelin e vjehrrit të saj, i cili kundërshton dënimin me 19 vjet burg dhe dëbimin nga Zvicra.

Një regjistrim audio rreth gjysmë ore, që një grua e re arriti ta bënte me telefonin e saj celular ndërsa sulmohej, pritet të jetë edhe një herë në qendër të një prej rasteve më të rënda të femicidit në rajonin e Baselit. Vjehrri i saj, një 62-vjeçar nga Kosova, i dënuar vitin e kaluar me 19 vjet burgim dhe 15 vjet dëbim nga Zvicra, do të dalë sërish para drejtësisë nga mesi i nëntorit.
Gjykata e Kantonit Basel-Landschaft ka caktuar dy ditë e gjysmë seanca për shqyrtimin e çështjes në shkallë të dytë, pasi mbrojtja e ka kundërshtuar vendimin e parë.
Vrasja ndodhi në vitin 2020 në Pratteln. I dënuari e goditi me thikë nusen e djalit të tij, pas një periudhe konfliktesh të pandërprera brenda familjes. Gruaja kishte vendosur të ndahej nga bashkëshorti, për shkak të dhunës në familje që thuhet se përjetonte.
Në dhjetor të vitit 2024, Gjykata Penale e shkallës së parë e cilësoi krimin të planifikuar, të pabesë dhe mjaft brutal. Sipas atij vendimi, qëllimi i vjehrrit ishte ta eliminonte nusen dhe ta mbante nipin e vogël brenda familjes së djalit. Gjykata e gjeti këtë motiv të mbështetur edhe nga kërkimet që ai kishte bërë në internet për kujdestarinë e një fëmije në rast se nëna vdes.
Trupi gjykues shkoi përtej kërkesës së prokurorisë, e cila kishte kërkuar 17 vjet burgim, dhe shqiptoi 19 vjet.
Në apel, i dënuari do të mbrohet sërish nga një avokat i njohur nga Cyrihu. Mbrojtja pretendon se klienti i saj nuk veproi me paramendim, por në vetëmbrojtje dhe në gjendje tronditjeje psikike. Mbi këtë bazë, ajo kërkon që vepra të rikualifikohet si vrasje pa paramendim, me një dënim jo më të lartë se 9 vjet burg, si dhe anulimin e dëbimit nga territori zviceran.
Regjistrimi audio mbetet prova më e rëndë në dosje. Në të dëgjohet si përshkallëzohet konflikti dhe si gruaja lutet të shohë edhe një herë djalin e saj trevjeçar. Fëmijën, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes, vjehrri e kishte nxjerrë jashtë banesës para se të kryente krimin.
Për gjykatën e shkallës së parë, ky regjistrim ishte një provë goditëse. Mbrojtja e lexon ndryshe: sipas avokatit, viktima e nisi regjistrimin me qëllim që ta provokonte të pandehurin. Tani do të jetë gjykata e kantonit ajo që do të vendosë se cila prej këtyre dy versioneve do të mbetet në fuqi.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

