Një raport i ri i Europolit paralajmëron se vjedhjet nëpër muzetë evropiane nuk janë më vepra të heshtura hajdutësh të stërvitur: bandat hyjnë me çekiçë, sëpata, madje edhe eksploziv, dhe kërcënojnë rojet e vizitorët.

Muzetë e Evropës po sulmohen ndryshe nga ç'i kanë mësuar dekadat e fundit. Në vend të vjedhjeve të heshtura, me mashtrim dhe pa gjurmë, Europoli përshkruan sulme të drejtpërdrejta, me çekiçë të rëndë e sëpata për të hapur rrugë brenda ambienteve, e në disa raste edhe me eksploziv. Një shembull i tillë, sipas raportit, është grabitja e muzeut Drents në qytetin holandez Asen, në janar të vitit 2025.
Raporti, i titulluar "Ndryshim taktikash, ndryshim objektivash: natyra në evoluim e grabitjeve të muzeve", u publikua sot dhe konstaton se grabitjet e muzeve në mbarë Evropën po bëhen gjithnjë e më agresive, me sulme të targetuara dhe me përfshirjen e aktorëve nga rrjete të tjera kriminale.
"Vjedhjet në muze janë konsideruar përgjithësisht si formë jo e dhunshme e krimit, ku kryerësit mbështeteshin te mashtrimi dhe te ekzekutimi diskret, ndërsa hetimet e reja në vendet e BE-së tregojnë ndryshim si në metoda, ashtu edhe në objektiva", thuhet në raportin e Europolit.
Sipas raportit, grabitësit përdorin ndonjëherë edhe armë zjarri për të frikësuar sigurimin dhe vizitorët. Janë regjistruar sulme të drejtpërdrejta fizike ndaj të punësuarve, lidhje e tyre dhe përdorim force. Si shembull përmendet grabitja e muzeut Luvër në Paris, në tetor të vitit 2025, kur grabitësit kërcënuan rojet dhe vizitorët, thyen një dritare dhe vitrinat dhe morën bizhuteri me vlerë të vlerësuar 88 milionë euro.
Ka ndryshuar edhe lista e objektivave. Vëmendja po zhvendoset drejt sendeve me vlerë të lartë: metaleve fisnike, gurëve të çmuar dhe artefakteve me rëndësi kulturore, të nxitura nga kërkesa e madhe në treg dhe nga lehtësia e rishitjes ilegale. "Metalet fisnike, si ari dhe argjendi, dhe bizhuteritë me gurë të çmuar ka gjasa të jenë bërë objektivat e preferuara për shkak të vlerës së tyre në rritje", thekson Europoli, duke shtuar se metalet fisnike shkrihen lehtë, ndërsa gurët e çmuar hiqen nga bizhuteritë, çka e lehtëson shitjen e paligjshme.
Këto sende, sipas raportit, janë tërheqëse për rrjetet kriminale për shkak të dukshmërisë, qasshmërisë dhe perceptimit se masat e sigurisë në muze janë më të dobëta se ato në dyqanet e bizhuterive.
Një tjetër tendencë që shqetëson agjencinë evropiane të policisë është hyrja në skenë e aktorëve të rinj kriminalë, përfshirë grupe ad hoc të rekrutuara përmes rrjeteve sociale, të cilat shmangen nga profili tradicional i trafikantëve jo të dhunshëm të pasurive kulturore. Disa nga kryerësit vijnë nga fusha të tjera të krimit, të tërhequr nga rreziku më i vogël dhe fitimi i lartë që ofrojnë grabitjet e muzeve.
Një autobus turistik holandez me 45 pasagjerë u përplas me barrierën mbrojtëse në rrugën Zernez-Susch, doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur. Policia Kantonale e Graubündenit e ka cilësuar rastin si vetaksident, ndërsa shkaqet mbeten në hetim.

