Vajza 16-vjeçare njoftoi autoritetet, djali 19-vjeçar u zgjua nga gjumi dhe e mori nënën e plagosur drejt spitalit. Esma Meço nuk mbijetoi. Bashkëshorti i saj dyshohet se e sulmoi me thikë, pak pasi ajo kishte vendosur të divorcohej.

Në banesën e familjes shqiptare në Greqi, natën e 26 gushtit, ndodheshin edhe dy fëmijët. Vajza 16-vjeçare qe ajo që njoftoi autoritetet. Djali 19-vjeçar, që ishte në gjumë në momentin e ngjarjes, u zgjua, mori nënën e plagosur dhe e dërgoi drejt spitalit, me shpresën se do të shpëtonte. Esma Meço nuk mundi t'u mbijetonte plagëve në spitalin e Komotinit.
Sipas hetimeve paraprake, bashkëshorti i saj, Bujar Meço, 53 vjeç, dyshohet se e sulmoi me thikë pas një konflikti mes tyre. Pas ngjarjes, ai dyshohet se tentoi t'i jepte fund jetës dhe u dërgua në spital, nën mbikëqyrjen e policisë. Për ngjarjen nuk është bërë e njohur ndonjë akuzë formale.
Historia e kësaj martese kishte lënë gjurmë edhe më herët në dosjet e autoriteteve. Në vitin 2022, Esma kishte denoncuar bashkëshortin për kërcënime dhe ai ishte arrestuar në atë kohë. Pak para ngjarjes së rëndë, ajo kishte vendosur t'i jepte fund martesës dhe kishte planifikuar të vijonte procedurat e divorcit.
Në një lidhje online me emisionin "Me Zemër të Hapur", xhaxhai i viktimës tregoi se çifti prej kohësh kishte probleme. "Bujari e keqtrajtonte", u shpreh ai. Sipas rrëfimit të tij, Esma i kishte thënë se, nëse fëmijët do të vinin, do t'i merrte me vete, ndërsa vajza ishte veçanërisht e rëndësishme për të.
Xhaxhai i viktimës e lidhi drejtpërdrejt konfliktin e shpërthyer gjatë ditëlindjes së vajzës me vendimin e Esmës për t'u divorcuar. Sipas akuzave të tij, vrasja ishte iniciativë e bashkëshortit, ndërsa fëmijët e çiftit dhe ditëlindja e vajzës janë përdorur në kuadër të konfliktit mes tyre. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet.
Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi dhe ka rikthyer në vëmendje problemet e dhunës në familje.
Një autobus turistik holandez me 45 pasagjerë u përplas me barrierën mbrojtëse në rrugën Zernez-Susch, doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur. Policia Kantonale e Graubündenit e ka cilësuar rastin si vetaksident, ndërsa shkaqet mbeten në hetim.

