Ernest Luma, ish-punonjës i RTK-së, e ka çuar transmetuesin publik në gjykatë, pasi u largua nga puna për shkak, sipas tij, të postimeve sarkastike në Facebook. Ai e quan vendimin selektiv, diskriminues dhe kujton largimet masive të shqiptarëve nga puna në vitet 1989-1990.

Ernest Luma, ish-punonjës i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), e ka paditur transmetuesin publik pas vendimit të 28 gushtit, me të cilin iu ndërpre marrëdhënia e punës. Luma e quan largimin të padrejtë dhe diskriminues dhe e lidh atë me postimet e tij me përmbajtje sarkastike në rrjetet sociale.
Për padinë Luma njoftoi vetë përmes një postimi në Facebook. Sipas tij, procedura disiplinore u nis nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit të RTK-Radios dhe më pas u miratua nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të RTK-Radios. Vendimi, thotë ai, i erdhi me email, pa ndonjë arsyetim të detajuar se si postimet e tij kishin shkelur rregulloret e institucionit.
Mbrojtja e tij mbështetet te kufiri mes opinionit personal dhe detyrës profesionale. Shkrimet në Facebook, pretendon Luma, ishin pikëpamje private, në të cilat as nuk e kishte përmendur RTK-në dhe as nuk ishte paraqitur si përfaqësues i saj. Ai e cilëson vendimin edhe si selektiv, duke pretenduar se punonjës të tjerë të RTK-së publikojnë opinione personale dhe bëjnë deklarata publike pa u përballur me masa të ngjashme.
Krahasimi që zgjodhi për ta përshkruar largimin është i rëndë. "RTK më largoi nga puna si në kohën e Millosheviqit!", shkroi Luma, duke kujtuar largimet masive të shqiptarëve nga puna gjatë viteve 1989-1990 nën regjimin e atëhershëm serb. Mes të larguarve të asaj periudhe, sipas tij, ishin edhe prindërit e tij.
Luma shprehu shqetësim se RTK-ja po shndërrohet në medium të pushtetit. "RTK është medium i publikut dhe jo i pushtetit!", deklaroi ai, duke shtuar se beson që çështja do të trajtohet nga instancat kompetente dhe gjykatat. Qëndrimi i RTK-së ndaj këtyre pretendimeve ende nuk dihet.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

