Një stuhi e fuqishme goditi Italinë veriore dhe ktheu në kaos aeroportin "Luigi Ridolfi" të Forlì-t: katër avionë të vegjël u rrëmbyen nga era dhe u përmbysën, ndërsa fluturimet u ndalën për rreth një orë.

Avionë të vegjël të tërhequr zvarrë nga era në pistë dhe pastaj të përmbysur: kjo është pamja që la pas stuhia e fuqishme që goditi qytetin e Forlì-t, në Italinë veriore. Në aeroportin "Luigi Ridolfi", erërat rrëmbyen dhe përmbysën katër avionë të vegjël, ndërsa shpejtësia e erës pranë aeroportit arriti deri në 120 kilometra në orë.
Përballë kushteve të rrezikshme atmosferike, autoritetet e aeroportit vendosën ta mbyllin përkohësisht atë. Rajoni Emilia-Romanjë bëri të ditur se aeroporti qëndroi i mbyllur për rreth një orë, derisa u kryen kontrollet e sigurisë dhe moti u përmirësua.
Stuhia preku edhe operacionet ajrore. Një avion raportohet se hasi vështirësi serioze gjatë uljes, ndërsa katër mjete të lehta pësuan dëmtime nga erërat e forta. Në një përshkrim të ngjarjes të shpërndarë në rrjete sociale në gjuhën angleze thuhet: "Një stuhi e fuqishme goditi aeroportin. Tre avionë të lehtë u ngritën nga pista dhe u hodhën si lodra. Një avion tjetër u nxor jashtë trajektores gjatë uljes."
Dëmet nuk mbetën brenda gardhit të aeroportit. Shërbimet zjarrfikëse morën më shumë se 150 thirrje për ndërhyrje, kryesisht për pemë të rrëzuara dhe dëme nga era. Vetëm në provincën Forlì-Cesena u regjistruan 73 ndërhyrje.
Shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta prekën gjithashtu provincat e Ravenës, Ferrarës, Bolonjës dhe Modenës, ndërsa moti i keq solli përmbytje, rrëzime pemësh dhe probleme në infrastrukturë në disa rajone të Italisë veriore dhe qendrore. Ndër zonat më të goditura nga vala e motit ekstrem ishin Lombardia, Piemonti, Liguria, Toskana, Veneto dhe Emilia-Romanja, ku dëme të konsiderueshme u shkaktuan brenda pak minutash.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

