Agjencia amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit heq rregullat që kufizojnë gazet me efekt serrë nga termocentralet me qymyr dhe gaz natyror. Grupet mjedisore paralajmërojnë kontestim të menjëhershëm në gjykatë, ndërsa një analizë e Associated Press vlerëson se rregullat e synuara mund të parandalonin 30.000 vdekje në vit.

Termocentralet amerikane me qymyr dhe gaz natyror nuk do t'i kenë më kufizimet për gazet me efekt serrë. Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit (EPA) bëri të ditur të hënën se po shfuqizon rregullat përkatëse, një vendim që, sipas agjencisë, do të heqë mbi 300 miliardë dollarë kosto për industrinë dhe do të ndihmojë të "çlirohet" energjia amerikane.
Ndryshimi, i propozuar për herë të parë vitin e kaluar, shënon një kthesë thelbësore ndaj politikave të presidentëve demokratë Joe Biden dhe Barack Obama për klimën dhe ndotjen industriale. Zyrtarët e EPA-s argumentuan se heqja e rregullave do t'u lejojë kompanive të energjisë elektrike të marrin vendimet më të mira për konsumatorët e tyre, në vend që të detyrohen të mbyllin termocentrale të vjetruara ose me efiçencë të ulët.
Grupet mjedisore dhe ato të shëndetit publik kundërshtuan menjëherë vendimin, me premtimin se do ta çojnë në gjykatë. "Shembja e mbrojtjeve tona kombëtare ndaj ndotjes klimatike nga termocentralet do të ketë kosto enorme për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e familjeve në të gjithë vendin", deklaroi Vickie Patton, kryejuriste e organizatës Environmental Defense Fund. Ajo shtoi se "amerikanët kudo po vuajnë tashmë nga vapa rekord, përmbytje dhe stuhi më të rrezikshme, dhe kosto sigurimesh që po fluturojnë", duke theksuar se "teknologjitë e pastra, të përballueshme dhe të besueshme janë gjerësisht të disponueshme për të furnizuar me energji shtëpitë dhe bizneset tona".
Paralelisht, EPA propozoi një rregull të veçantë, që pritet të finalizohet vitin e ardhshëm dhe që mund të pengojë administratat e ardhshme të rregullojnë emetimet e gazeve me efekt serrë nga termocentralet. Propozimi vjen pas veprimit të EPA-s më herët këtë vit, kur agjencia revokoi një konstatim shkencor që prej kohësh ka shërbyer si bazë qendrore e politikave amerikane për rregullimin e gazeve me efekt serrë dhe luftimin e ndryshimeve klimatike. Në shkurt, veprimi i agjencisë eliminoi të gjitha standardet e emetimeve të gazeve me efekt serrë për automjetet dhe kamionët; plani i re zbaton një logjikë të ngjashme për burimet e fiksuara, si termocentralet.
Në propozimin e vitit të kaluar, EPA e administratës Trump argumentoi se gazet me efekt serrë nga termocentralet me lëndë fosile "nuk kontribuojnë ndjeshëm në ndotjen e rrezikshme" dhe në ndryshimet klimatike, dhe se nuk përmbushin pragun e kërkuar nga Ligji për Ajrin e Pastër për veprim rregullator. Sipas agjencisë, ato "janë një pjesë e vogël dhe në rënie e emetimeve globale".
Njoftimet erdhën ndërsa shefi i EPA-s, Lee Zeldin, sekretari i Brendshëm, Doug Burgum, dhe sekretari i Energjisë, Chris Wright, po mbanin në Hjuston një takim ministror të G20-ës mbi "bollëkun energjetik". Kronologjia e njoftimit, në të njëjtën ditë, lexohet si një nderim ndaj rolit që Teksasi ka në industrinë e energjisë, por edhe si një goditje e mundshme ndaj aleatëve evropianë dhe të tjerëve të pranishëm, të cilët kanë ndjekur politika mjedisore që administrata Trump po i rrëzon.
Presidenti republikan Donald Trump e ka quajtur ndryshimin klimatik "mashtrimi më i madh që i është bërë ndonjëherë botës" në një fjalim në Kombet e Bashkuara vitin e kaluar, ndërsa administrata e tij tërhoqi Shtetet e Bashkuara, për të dytën herë, nga marrëveshja e Parisit për klimën e vitit 2015. Trump ka lëvduar bollëkun energjetik amerikan, edhe pse lufta në Iran vazhdon të trondisë tregjet globale të karburanteve dhe çmimi i benzinës ka kaluar 4,31 dollarë për gallon, mbi një dollar më shumë sesa një vit më parë.
Rregulli për termocentralet është vetëm një nga pothuajse tre dyzina rregulloresh mjedisore që Zeldin i vuri në shënjestër në fillim të vitit 2025, në atë që ai e cilësoi "dita me pasojat më të mëdha të deregullimit në historinë amerikane". Kur propozoi rregullat e reja vitin e kaluar, Zeldin thoshte se ato kishin për qëllim t'i jepnin fund "luftës ndaj një pjese të madhe të furnizimit tonë vendor me energji në SHBA" nga administratat Biden dhe Obama.
Peshën e vendimit e ndriçojnë numrat. Termocentralet me qymyr, gaz dhe naftë janë përgjegjëse për rreth një të katërtën e ndotjes së përgjithshme klimatike të vendit, të dytat vetëm pas sektorit të transportit. Një shqyrtim i kryer vitin e kaluar nga Associated Press vlerësoi se rregullat e synuara nga EPA e Trumpit mund të parandalonin rreth 30.000 vdekje dhe të kursenin 275 miliardë dollarë për çdo vit që janë në fuqi. Sipas të njëjtës analizë, edhe një shfuqizim i pjesshëm do të nënkuptonte më shumë ndotës si smog, merkur dhe plumb, më shumë grimca të imta në ajër, si edhe emetime më të larta të gazeve me efekt serrë.
Me këtë hap përmbyset edhe rregulli i rreptë i EPA-s i vitit 2024, sipas të cilit termocentralet me qymyr do të detyroheshin të kapnin emetimet nga oxhakët ose të mbyllnin dyert. Vendimi pritet të përballet me kontestime ligjore të menjëhershme.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

