Aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nuk është fjala e fundit: eksperti i së drejtës ndërkombëtare Mark Ellis parashikon një betejë apeli ku mbrojtja sulmon ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe Prokuroria kërkon rikthimin e akuzave për krime kundër njerëzimit.

Verdikti i Hagës ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kalojë sërish në provë. Eksperti i së drejtës ndërkombëtare Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se aktgjykimi pritet të përballet me një proces të fuqishëm apeli nga të dyja palët.
Sipas tij, mbrojtja pritet të sfidojë konstatimet që i lidhin të akuzuarit me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, ndërsa Prokuroria e Dhomave të Specializuara mund të kundërshtojë lirimin e tyre nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Përtej betejës juridike që vazhdon, Ellis thekson se aktgjykimi ka rëndësi edhe për viktimat, të cilat tani mund ta shohin dënimin për krime lufte si një formë drejtësie.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë i shpalli Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin fajtorë për katër akuza për krime lufte, duke i liruar njëkohësisht nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 dhe Selimi me 13. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë.
I pyetur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se cili është vlerësimi i tij i parë për aktgjykimin dhe çfarë i bie më shumë në sy, Ellis u ndal te pritja e vendimit brenda vendit dhe te pesha që procese të tilla marrin me kalimin e kohës.
"Mendoj se ajo që bie më shumë në sy tani është pyetja që zakonisht shtrohet në situata të tilla: si do të jetë reagimi në nivel lokal dhe cilat do të jenë pasojat për një pranim të mundshëm afatgjatë të vendimit? Këto procese dhe gjykime janë, siç e dimë, shumë të ndërlikuara, por mund të jenë mjaft pozitive, sepse procesi juridik është shumë rigoroz dhe sfidues. Shpresa është që pjesë e këtij procesi të jetë një procedurë e fuqishme juridike, e cila në fund prodhon një vendim të arsyetuar mirë, të mbështetur në prova, fakte dhe argumente. Natyrisht, ky vendim nuk pranohet nga të gjithë. E dimë saktësisht se çfarë do të ndodhë dhe çfarë po ndodh tani në Kosovë, por kjo nuk është e pazakontë në konflikte të tilla. Fatkeqësisht, në planin afatshkurtër, vendimi nuk do të shihet pozitivisht nga të gjithë në rajon, por unë do të shikoja drejt një perspektive më afatgjatë. Historikisht, pas një apo dy brezave, procese të tilla kanë rëndësi. Mund të kthehemi deri te Nurembergu, te vendimet që u morën atje dhe te ndikimi që ato kanë sot. Kështu do ta shihja unë këtë çështje. Së dyti, ky proces ka qenë gjithmonë i ndërlikuar për shkak të faktit se Dhomat e Specializuara duhej të krijoheshin nga pamundësia për t’i zhvilluar këto procese në Kosovë. Kur ndodh diçka e tillë, shpesh ka kritika ndaj vetë procesit. Por, ky ishte i vetmi proces që ishte e mundur të krijohej, në këtë rast, Dhomat e Specializuara të Kosovës, për të mundësuar zhvillimin e një procesi juridik, shqyrtimin e provave për krime të mundshme dhe, më pas, nxjerrjen para përgjegjësisë të atyre që janë përgjegjës për këto krime. Në fund, e gjithë kjo ka të bëjë me viktimat", tha Ellis.
Argumenti i tij mbetet i njëjtë edhe për kritikat ndaj vetë gjykatës: Dhomat e Specializuara, sipas Ellisit, lindën nga pamundësia që këto procese të zhvilloheshin brenda Kosovës, dhe pikërisht kjo gjenezë e ka shoqëruar procesin me kundërshtime që nga fillimi.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

