Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha akuzon kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, se po i mban peng deputetët duke mos lejuar vazhdimin e seancës — dhe paralajmëron ndjekje ligjore.

Ngërçi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës po merr tani edhe një dimension penal. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka paralajmëruar se do të bëhet kallëzim penal ndaj kryesuesit të seancës konstituive, deputetit të Vetëvendosjes, Avni Dehari, të cilin e akuzon se po e bllokon vazhdimin e seancës.
Sipas Hoxhës, Dehari është i obliguar me rregulloren e Kuvendit — të miratuar me dy të tretat e votave — që ta vazhdojë procesin, dhe mospërmbushja e këtij detyrimi përbën shkelje dhe mosushtrim të detyrës.
"Është cenim që z. Dehari po ia bën deputetëve të Republikës së Kosovës të zgjedhur nga populli duke mos lejuar vazhdimin e seancës konstituive, që është i obliguar me rregulloren e Kuvendit që është e miratuar me 2/3 e votave. Kjo përbën shkelje e mosushtrim i detyrës që i takon. Me këtë rast besoj se do të ketë kallëzim penal për mungesë, me vullnetin e tij, të ushtrimit të detyrës. Ka bazë ligjore të bëjmë këtë", tha ajo në emisionin "60 Minuta" në KTV.
Hoxha e cilësoi situatën aktuale si një vend të kthyer në peng dhe të nxjerrë jashtë normave kushtetuese, duke paralajmëruar rrezikun e një precedenti të rrezikshëm për shtetin ligjor.
"Në këtë rast kemi pushtet mbi shtetin. Nuk mundet Kushtetuta të vlejë për dikë e për dikë jo. Ligji të vlejë për dikë e për dikë jo, rregullorja e Kuvendit të vlejë për dikë e për dikë jo. Këtu krijohet një precedent dhe s'mund t'i thuash nesër qytetarëve, bizneseve e operatorëve që operojnë në Kosovë që të respektojnë ligjin, përderisa ta kesh zhvendosur komplet aspektin e zbatimit të ligjit", theksoi ajo.
Përtej ballafaqimit institucional, Hoxha kërkoi uljen e tensioneve për të hapur rrugë dialogut politik, duke thënë se "duhet të ulen tytat". Peshën kryesore për hapin e parë ajo ia la kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve.
"Duhet të ketë sinqerisht mirësi. E para duhet ta bëjë z. Kurti, ai është fitues i zgjedhjeve... Nëse populli ta jep besimin me qeverisë nesër, atëherë duhesh me e ushtru atë në mënyrë të mundshme. Nëse ti e merr me arrogancë dhe e përkthen në barrikadim... atëherë nuk po çon askund pos në autokraci. Kurti në zgjedhjet e fundit edhe ka kërkuar 80 deputetët që të bëjë çfarë të dojë. Është në dorën e popullit të vendosë a dëshiron që gjitha instrumentet e shtetit e vendimmarrjen e pushtetit ta ketë një njeri, e të jetë mbi shtetin siç është sot edhe me më pak vota", deklaroi Hoxha.
Sipas saj, nëse Kurti dëshiron që vendi të ecë përpara, rrugëdalja kalon nëpër konsensuse politike, ashtu siç, thotë ajo, janë arritur në të kaluarën.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

