Pas votimit të qeverisë së tij të katërt, Albin Kurti doli para Kuvendit me një listë premtimesh me shifra: paga mesatare publike mbi 1 mijë euro, shtesa të dyfishuara për fëmijët dhe një program prej një miliardi eurosh për prodhimin.

Shtesat për fëmijë që dyfishohen, një pagë mesatare publike mbi 1 mijë euro në muaj dhe një program prej 1 miliard eurosh për prodhimin e industrinë: këto janë premtimet kryesore me të cilat kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hapi mandatin e ri para Kuvendit të Kosovës, duke prezantuar programin qeverisës dhe kabinetin e ri pas votimit të qeverisë së udhëhequr prej tij, të njohur si "Kurti 4".
Në fjalimin e tij, Kurti tha se qeverisja e re do të përqendrohet te zhvillimi ekonomik, prodhimtaria, mirëqenia sociale, siguria, arsimi, shëndetësia dhe avancimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Ai sqaroi se nuk do të ketë një ekspoze tërësisht të re, pasi zgjedhjet e përsëritura kanë ndërprerë të njëjtën qeverisje.
"Vizioni ynë në këto vite të qeverisjes sonë të përbashkët është punë për qytetarin dhe mbrojtje për familjen. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën", deklaroi Kurti.
Për të mbështetur agjendën e re, kryeministri u kthye te bilanci i pesë viteve të fundit. Sipas tij, Kosova ka shënuar rritje mesatare ekonomike prej 6 për qind, ndërsa në çerekun e parë të vitit 2026 rritja ishte 5.4 për qind. Bruto Produkti Vendor, tha ai, është rritur nga rreth 7 miliardë euro në 11 miliardë euro, me projektim që këtë vit të arrijë 12 miliardë euro. Numri i të punësuarve, sipas Kurtit, është rritur nga 350 mijë në 430 mijë, ndërsa të ardhurat e familjeve janë rritur përmes pagës minimale, pensioneve, shtesave për fëmijë dhe pagave në sektorin publik.
Në kapitullin social, premtimi më konkret ishte dyfishimi i shtesave për fëmijë: nga 30 në 60 euro dhe nga 45 në 90 euro për fëmijë, varësisht nga numri i fëmijëve në familje. Kurti përmendi gjithashtu mbështetjen për nënat lehona, të cilat nga 1 korriku marrin 500 euro në muaj për gjashtë muaj. Në kuadër të programit "Gjenerata për gjeneratë", ai propozoi që gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat nga 13 deri në 36 muaj, në rastet kur të dy prindërit punojnë, të marrin 100 euro shtesë në muaj.
Boshti ekonomik i ekspozesë është programi prej 1 miliard eurosh për prodhimin dhe industrinë. Kurti tha se Banka Zhvillimore do të financojë projektet strategjike, do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe do t'u japë prodhuesve e eksportuesve letërgaranci për pagesa. Sipas tij, do të lehtësohet marrja e kredive për investitorët që prodhojnë dhe punësojnë, ndërsa përmes amortizimit të përshpejtuar do të ulet kostoja e investimeve.
Në listën e masave fiskale dhe administrative ai paralajmëroi faturimin elektronik ndërmjet bizneseve, rimbursim më të shpejtë të TVSH-së dhe heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian. Pjesë e programit janë edhe zhvillimi i Valutës Digjitale të Kosovës, ndërtimi i Kullës TIK në Prishtinë dhe krijimi i 15 qendrave të inovacionit, inkubatorëve teknologjikë dhe industrialë deri në fund të mandatit.
Kapitulli i sigurisë parasheh mbi 1 miliard euro për ushtrinë, pra për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa në plan mbetet edhe themelimi i Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, një njësi e paralajmëruar, por ende e pathemeluar. Programi përmend po ashtu Njësinë Ushtarake të Përbashkët me Shqipërinë dhe Fondin e Sigurimeve Shoqërore.
Prezantimi i programit vjen pas votimit të qeverisë në Kuvend, hap që i dha Kurtit mandatin e ri si kryeministër dhe që u shoqërua me reagime të ashpra politike ndaj mënyrës se si u siguruan votat.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

