Një vendim gjyqësor nga Haga po shihet nga njohësit e sigurisë si municion i ri propagande për Serbinë kundër Kosovës dhe UÇK-së. Paralajmërimi vjen ndërsa Uashingtoni e përshkruan Beogradin si të përfshirë në çështje shpërthyese.

Aktgjykimi i 16 shtatorit i Dhomave të Specializuara në Hagë po shndërrohet, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë në Kosovë, në një mjet të ri presioni në duart e Beogradit. Ata paralajmërojnë se Serbia po e përdor vendimin për të ndërtuar një narrativë ndërkombëtare kundër Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesë e asaj që e quajnë luftë të hapur hibride, e mbështetur edhe nga Rusia, me synim destabilizimin e rajonit.
Këto alarme përkojnë me një sinjal nga diplomacia amerikane. Në New York, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar Serbinë si të përfshirë në çështje potencialisht problematike dhe shpërthyese.
Sfondi i sigurisë mbetet i rënduar. Tre vjet më parë, një grup i armatosur i udhëhequr nga Milan Radoiçiq kreu sulmin terrorist në Banjskë. Një vit më pas, shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc e ktheu vëmendjen te kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, e sheh situatën si një "kërcënim rajonal për një luftë hibride të vazhdueshme të Serbisë", për të cilën, sipas tij, nuk po ndërmerret asnjë masë. Ai kujton sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, me nëntë a tetë ushtarë të plagosur të misionit, pas të cilit Serbisë nuk iu vu asnjë sanksion. Në të kundërt, thotë Ibishi, Kosova u sanksionua me shumë lehtësi për shkak të masave të çtensionimit.
Përtej skenës ndërkombëtare, Beogradi po tenton të shfrytëzojë edhe ndjeshmërinë e brendshme në Kosovë. Hysen Gecaj, gjithashtu njohës i çështjeve të sigurisë, parashikon se "Serbia sigurisht që do t'i shfrytëzojë këtë momentum edhe në aspektin e sigurisë, përveç në aspektin politik". Sipas tij, në rrafshin politik ky proces ka nisur tashmë, me deklarata që synojnë ta paraqesin UÇK-në si organizatë terroriste, siç Serbia e ka cilësuar gjithmonë.
Për ekspertët, rreziku është i qartë: vendimi i fundit i Hagës mund të bëhet një tjetër instrument propagande kundër stabilitetit të Kosovës, në një rajon ku tensionet e sigurisë mbeten të brishta.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

