Një 13-vjeçare u gjet me lëndime të dukshme afër një shkolle në fshatin Turjakë të Pejës, pasi ishte larguar nga shtëpia e nënës. Vajza kërkoi të mos kthehej më atje dhe përfundoi në një shtëpi të sigurt.

Një vajzë 13-vjeçare është gjetur me lëndime të dukshme pranë një shkolle në fshatin Turjakë të Pejës, pasi ishte larguar nga shtëpia e nënës së saj. Rasti trajtohet si dhunë në familje dhe ka nisur hetimi.
E mitura, e identifikuar me inicialet D.A., u dërgua fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ku mori trajtim mjekësor. Më pas ajo u shoqërua në stacionin policor, ku u intervistua nga hetuesit e dhunës në familje.
Në deklarimin e saj, 13-vjeçarja ka thënë se prindërit i ka të ndarë dhe se jeton me babanë në fshatin Vojnoc të Shtimes, ndërsa rreth një javë më parë kishte shkuar për vizitë te nëna në Turjakë. Sipas asaj që ka rrëfyer, nëna kishte filluar ta qortonte disa ditë më parë dhe, më 19 shtator, ajo ishte goditur në duar, në këmbë dhe në kokë.
Policia ka arrestuar të dyshuarën, Z.G., 30-vjeçare, e cila u shoqërua në Stacionin Policor në Pejë dhe u intervistua. Gjatë kësaj faze të procedurës, ajo ka zgjedhur të mbrohet në heshtje. Prokurori kujdestar, i njoftuar për rastin, ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale "Lëndim i lehtë trupor" në kuadër të dhunës në familje. Pas intervistimit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj saj nuk ka ende asnjë vendim gjyqësor dhe dyshimet mbeten të paprovuara derisa të dalë një i tillë.
Vetë e mitura ka refuzuar të kthehet te nëna dhe ka kërkuar të shkojë te babai. Pasi ai nuk ka pasur mundësi ta merrte menjëherë, ajo është vendosur përkohësisht, me dëshirën e saj, në një shtëpi të sigurt.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

