Kompania amerikane e dërgesave pranon se u ka paguar më pak se ç'duhej mbi 260 mijë korrierëve në New York dhe pranon marrëveshjen më të madhe për punëtorët në historinë e qytetit.

Mbi 260 mijë korrierë të dërgesave në New York do të marrin prapa paratë që u mungonin në llogari. DoorDash do të paguajë 131.5 milionë dollarë për të mbyllur pretendimet se i ka paguar më pak punëtorët e saj të dërgesave në qytet, një marrëveshje të cilën kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e shpalli të martën.
Zyrtarët e përshkruan atë si marrëveshjen më të madhe për punëtorët në historinë e qytetit. Përveç shumës, ajo e detyron kompaninë t'i nënshtrohet një sistemi të ri monitorimi, që të sigurohet respektimi i ligjeve mbi pagesën e korrierëve në New York.
"Kur një punëtor fiton një pagë, ai meriton të paguhet ajo pagë, jo nesër, jo pas një padie, por në kohë dhe e plotë", tha Mamdani në një deklaratë. "DoorDash i pagoi më pak se 260 mijë punëtorë dhe sot po i marrim ato para prapa."
Sipas Bashkisë së New Yorkut, pjesa më e madhe e shumës do t'u kthehet punëtorëve që u paguan më pak, nuk u paguan fare ose u paguan me vonesë për dërgesat e kryera. Kompania do të paguajë gjithashtu rreth 16 milionë dollarë në gjoba civile dhe kosto të tjera për qytetin.
Vetë kompania i pranoi gabimet. "Thjesht, e bëmë rrëmujë", thuhet në deklaratën e DoorDash. "Ndonëse këto gabime nuk ishin të qëllimshme, kjo nuk i bën ato në rregull. Ne krenohemi me përsosmërinë operacionale në DoorDash dhe kjo nuk ishte e përsosur, as e pranueshme. 'Dasherët' duhet të paguhen plotësisht, në kohë, çdo herë. U kërkojmë falje 'Dasherëve' që i zhgënjyem."
DoorDash shpjegoi se shumë nga gabimet në pagesa u shkaktuan nga "defekte teknike ose ndodhën në situata të ndërlikuara", si dërgesat që dilnin jashtë kufijve të qytetit, ato me disa pika marrjeje apo dorëzimi, si dhe dërgesat e anuluara ose të kryera pjesërisht.
Nuk është hera e parë që kompania paguan në New York. Vitin e kaluar ajo pranoi të paguante gati 17 milionë dollarë për të mbyllur pretendimet se kishte përdorur në mënyrë të padrejtë bakshishet e klientëve për të subvencionuar pagat e korrierëve, në vend që shoferëve t'u lejohej ta mbanin bakshishin mbi pagesën e garantuar.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

