Pesë persona janë arrestuar dhe 15 të tjerë kërkohen nga policia pas dëmtimit të godinës së Gjykatës së Apelit në Tiranë gjatë tubimit të sotëm. Te më i riu, një 16-vjeçar, u gjetën lëndë piroteknike.

Dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit në Tiranë u goditën me sende të forta gjatë tubimit të sotëm, dhe pesë persona kanë përfunduar në pranga, sipas Policisë së Shtetit. Njëri prej tyre është një i mitur 16 vjeç, të cilit gjatë kontrollit iu gjetën lëndë piroteknike.
Sipas policisë, veprimet hetimore të kryera gjatë tubimit çuan në identifikimin e 20 personave të dyshuar për dëmtimin e institucionit. Përveç të miturit, të arrestuar janë A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, dhe P. P., 24 vjeç. Në kuadër të këtyre veprimeve u sekuestrua edhe një sasi lëndësh piroteknike.
Pesëmbëdhjetë të tjerët janë shpallur në kërkim dhe policia thotë se po punon për kapjen e tyre. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa të arrestuarit mbeten të dyshuar deri në një vendim të organeve të drejtësisë.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

