Kontaktet me familjarët u ndërprenë befas. Orë më vonë, dy turistë çekë — njëri 76 vjeç — u nxorën të gjallë nga kanionet e thella të Skraparit.

Kur familjarët nuk arritën më t'i kontaktonin, alarmi shkoi te policia. Dy turistë çekë, njëri 43 dhe tjetri 76 vjeç, kishin mbetur të bllokuar në Kanionet e Gradecit, në një zonë me terren të vështirë malor, pa mundësi për të vazhduar lëvizjen.
Operacioni i kërkim-shpëtimit nisi menjëherë sapo policia mori njoftimin për humbjen e kontakteve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar u koordinuan me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Alpine Fier dhe Ekipin Canyoning Skrapar për të lokalizuar dy personat në zonën e vështirë.
Gjatë kontrollit, efektivët përdorën edhe dronë. Ishte pikërisht kjo pamje nga ajri që bëri të mundur gjetjen e dy turistëve, të cilët për shkak të terrenit të thyer nuk mund të lëviznin më. Falë ndërhyrjes së koordinuar, të dy u nxorën në mënyrë të sigurt nga kanionet dhe u transportuan jashtë zonës së rrezikshme.
Pas shpëtimit, dy turistët falënderuan efektivët e policisë dhe ekipet e tjera të përfshira, duke vlerësuar reagimin e shpejtë dhe përkushtimin e treguar. Policia e Shtetit bëri të ditur se mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe turistëve, duke reaguar në çdo situatë emergjente në territor.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

