Policia e Nju Jorkut i gjeti dy burrat e kërkuar për sulmin ndaj një detektivi jashtë orarit të punës në Lin të Masaçusetsit, qindra kilometra larg vendit të ngjarjes. Detektivi 33-vjeçar mori shtatë goditje me thikë, por pritet të shërohet.

Fshehja në një bodrum në qytetin Lin të Masaçusetsit nuk zgjati shumë. Gjatë natës, detektivët e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) i gjetën aty D'Angelo Caraballon dhe Sneider Mejian, dy burrat e kërkuar në lidhje me plagosjen me thikë të një kolegu të tyre në Bronks.
Arrestimet u bënë të ditura nga policia të mërkurën. Sipas saj, operacioni u krye nga detektivë të NYPD-së të caktuar pranë njësisë rajonale të Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së për kapjen e të arratisurve, ndërsa njësia rajonale e Bostonit për ndjekjen e të arratisurve ndihmoi në hetim. Lini ndodhet rreth 15 milje larg Bostonit.
Sulmi ndodhi të premten e javës së kaluar, pranë kryqëzimit të Rrugës 206 Lindore me Avenynë Rochambeau, në lagjen Norwood të Bronksit, gjatë asaj që policia e përshkruan si një tentativë e dukshme grabitjeje. Viktima, një detektiv 33-vjeçar që nuk ishte në detyrë dhe identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u godit shtatë herë me thikë në trup dhe në këmbë, sipas NYPD-së.
Policët që mbërritën në vendngjarje thanë se ai i mori plagët duke u mbrojtur nga dy të dyshuarit. Detektivi u dërgua në spital dhe pritet të shërohet.
Pas sulmit, hetuesit kishin bërë të ditur se po kërkonin dy persona që ishin parë duke u larguar nga vendi i ngjarjes me një biçikletë elektrike.
Nuk është e qartë ende nëse Caraballo dhe Mejia kanë avokatë, as kur do të kthehen në Nju Jork për t'u përballur me akuzat.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

