Pak pas mesnate, dy persona hynë me dhunë në dy pika karburanti në Bulqizë dhe Fushë-Bulqizë dhe morën xhiron ditore. Policia ka shpallur në kërkim një 32-vjeçar, ndërsa bashkëpunëtori i tij mbetet i paidentifikuar.

Rreth orës 00:54, dy persona shkuan te dy pikat e karburantit në Bulqizë dhe në Fushë-Bulqizë dhe u morën me dhunë punonjësve të tyre xhiron ditore: 18.300 lekë në njërën dhe 38.600 lekë në tjetrën. Kaq ishte plaçka e një nate që tashmë ka nxjerrë një emër në listën e të kërkuarve.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, menjëherë pas marrjes së lajmërimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Dibër, nisën veprime të shpejta hetimore që çuan në identifikimin e njërit prej autorëve të dyshuar. Bëhet fjalë për shtetasin A. H., 32 vjeç, banues në Bulqizë, i cili është shpallur në kërkim. Ai dyshohet se veproi në bashkëpunim me një person tjetër, ende të paidentifikuar.
Gjatë kontrolleve në zonë, policia gjeti dhe sekuestroi një automjet tip “Toyota”, pa targa, si dhe një motomjet. Të dyja mjetet dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e 32-vjeçarit vijojnë, ndërsa policia po punon edhe për të zbuluar identitetin e personit të dytë të përfshirë në ngjarje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

