Takimi Kurti-Hamza përfundoi pa marrëveshje, ndërsa PDK e kushtëzon zgjedhjen e presidentit me miratimin e ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara. Ora po ecën: Kuvendi ka afat deri më 6 tetor.

Rreth dy orë bisedime nuk mjaftuan për një marrëveshje. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, doli nga takimi me kryeministrin Albin Kurti pa asnjë pajtim, por me një radhë të qartë prioritetesh: së pari ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, pastaj zgjedhja e presidentit.
Hamza nuk u ndal për gazetarët kur u largua nga objekti i Qeverisë. Heshtjen e theu vetëm pasi arriti në selinë e PDK-së, ku pranoi se palët nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët. "Kur të kemi marrëveshje, tregoj. Është e mundshme që të kemi takime edhe në ditët në vijim", tha ai.
Sipas Hamzës, në tryezë ishin procesi që po zhvillohet në Hagë, aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, ndryshimet në ligjin për këtë gjykatë dhe zgjedhja e kreut të shtetit. "Takimi ka të bëjë me procesin që është duke u zhvilluar në Hagë, me aktgjykimin e gjykatës, me nevojën që ligji i gjykatës të aprovohet në Kuvendin e Republikës, dhe tema e zgjedhjes së presidentit. Për PDK-në e dini që është nevojë aprovimi i ligjit dhe pastaj ne jemi të hapur që të diskutojmë për presidentin dhe që vendit me i dhënë president", deklaroi kryetari i PDK-së.
Qëndrimi i partisë së tij nuk lë shumë hapësirë për interpretim: çështja e presidentit shtyhet derisa të kalojë ligji në Kuvend. "Është nevojë dhe domosdoshmëri aprovimi i ligjit për Specialen dhe pastaj ne jemi të hapur të diskutojmë për presidentin", theksoi Hamza, i cili megjithatë nuk e përjashtoi një raund të ri takimesh me Kurtin.
Kushti i PDK-së vjen në një moment kur kalendari kushtetues po ngushtohet. Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse ky afat kalon pa zgjedhje, vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

