Dy punëtorë me origjinë nga Kosova humbën jetën në një përplasje furgoni me kamionë në Itali. Familjet e tyre do të marrin gjithsej 2 milionë euro dëmshpërblim nga sigurimi i automjetit.

Dy milionë euro: aq do të përfitojnë gjithsej familjet e dy punëtorëve me origjinë nga Kosova, të cilët humbën jetën më 30 maj 2025 në një përplasje furgoni me disa kamionë në autostradën A22, në Itali. Dëmshpërblimin do ta paguajë kompania e sigurimeve të furgonit, automjet i regjistruar në emër të kompanisë ku punonin të dy viktimat.
Ishte rreth ora 06:30 e mëngjesit kur katër punëtorë, me automjetin e kompanisë, po udhëtonin drejt një kantieri ndërtimi, në segmentin e autostradës ndërmjet Bressanone-s dhe Chiusa-s. Sipas rindërtimit të ngjarjes, drejtuesi i furgonit po parakalonte disa automjete të rënda dhe, kur u kthye në korsinë e vet, nuk arriti ta dallonte me kohë një kolonë kamionësh që lëviznin ngadalë.
Përplasja ishte fatale për dy punëtorët e ulur në anën e djathtë të furgonit, njëri në sediljen e pasagjerit dhe tjetri në sediljen e pasme. Të dy mbetën të bllokuar në rrënojat e automjetit dhe vdiqën në vendngjarje. Dy të tjerët, mes tyre edhe drejtuesi i furgonit, pësuan plagë jo të rënda.
Viktimat jetonin prej kohësh në Itali dhe punonin në sektorin e ndërtimit: njëri ishte banor i Bronzolos, tjetri jetonte në Bolzano. Shuma prej 2 milionë eurosh synon t'i kompensojë familjet për humbjen e të afërmve të tyre.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

