Kosova ka hyrë në fazën e vlerësimit të ofertave për një nga projektet më të mëdha energjetike të dekadave të fundit: sistemi i baterive për ruajtjen e energjisë ka tani dy ofertues nga Shtetet e Bashkuara.

Dy kompani nga Shtetet e Bashkuara kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë, një kapacitet prej 340 MWh që do të shpërndahet mes Istogut dhe Ferizajt. Lajmin e dha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila njoftoi se procesi tani kalon në fazën e vlerësimit të ofertave.
"Tani vijon vlerësimi, me synim nisjen e ndërtimit vitin e ardhshëm", shkroi Rizvanolli në një postim, pa i bërë publike emrat e dy kompanive ofertuese.
Ministrja e paraqet projektin si një kthesë për sektorin: "Po i afrohemi realizimit të një prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në dekadat e fundit". Bateritë janë pjesë e Programit Kompakt në vlerë prej 236,7 milionë dollarësh, të cilin e bashkëfinancojnë Shtetet e Bashkuara, përmes agjencisë amerikane Millennium Challenge Corporation (MCC), dhe Qeveria e Kosovës.
Rizvanolli falënderoi partnerët amerikanë, MCC-në dhe ekipin e MCA-Kosovës për punën e përbashkët, duke e lidhur drejtpërdrejt projektin me forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

