Dy ditë përpara se Trupi Gjykues në Hagë të shpallë aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, siguroi se KFOR-i do të jetë në Kosovë "pavarësisht se çfarë lajmi mund të dalë këtë javë", ndërsa ambasada amerikane në Prishtinë paralajmëron demonstrata të mëdha më 16 shtator.

Pyetja i erdhi drejtpërdrejt, nga një gazetar i Reuters-it: a është NATO e shqetësuar "për trazira të mundshme të dhunshme në Kosovë dhe në rajon si rezultat i këtij aktgjykimi, pavarësisht se cili do të jetë rezultati?". Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përgjigj duke e kthyer bisedën te arsyeja e prezencës ushtarake në Kosovë, dy ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Në thelb, pyetja juaj lidhet me arsyen pse KFOR-i është atje. KFOR-i është atje për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe. Kjo është bërë ndër vite, siç e dini, duke mundësuar zhvillime të rëndësishme ekonomike dhe sociale", deklaroi Rutte në një konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansha, nga Belgjika.
"Dhe tash, për më shumë se dy dekada, kemi një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit në Kosovë. Kjo është e vërtetë edhe sot, dhe do të jetë e vërtetë pavarësisht se çfarë lajmi mund të dalë këtë javë dhe në periudhën që vjen, por edhe kur bëhet fjalë për angazhimin tonë afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë", shtoi ai.
Misioni i NATO-s në Kosovë, sipas Ruttes, është aty "për të qëndruar, për sa i përket vlerësimit të vazhdueshëm se cili është konfigurimi më i mirë i KFOR-it dhe se si ai përshtatet më së miri me situatën aktuale". "Dhe kjo ka të bëjë me Kosovën, por natyrisht ka ndikim edhe në të gjithë rajonin", tha ai.
Vetëm disa orë më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë njoftoi se më 16 shtator disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha në Prishtinë dhe në qytete të tjera, duke u bërë thirrje shtetasve amerikanë t'i shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve ku janë paralajmëruar protestat. "Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik", theksoi ambasada.
Ndërkohë, procesi ka nxitur reagime edhe në Uashington. Kongresmeni amerikan Keith Self shprehu shqetësimin se vendimet e institucioneve të drejtësisë mund të ndikohen nga ato që ai i quan "paragjykimet politike". Përmes një postimi në rrjetin social "X", Self shkroi: "Një temë e vazhdueshme që po del nga Haga duket se është lejimi i paragjykimeve politike për të ndikuar në vendimet e tyre."
"Shpresoj që një paragjykim i tillë të mos shfaqet këtë javë kur të jepet një vendim në gjyqin e Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi nga vitet e shtypjes serbe", vazhdoi kongresmeni, i cili e cilësoi rajonin si një "fuçi baruti". "Ballkani është një kuti baruti në një rajon ku regjimet shtypëse nuk do të donin asgjë më shumë sesa të nxisin flakët e përçarjes sesa të punojnë drejt pajtimit", shkroi Self.
Aktgjykimi pritet të shpallet të mërkurën, më 16 shtator, nga ora 10:00, kur Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të vendosë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Të katërt gjenden në qendrën e paraburgimit që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Prokuroria e Speciales i akuzon për krime të pretenduara lufte dhe ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

