Omani thotë se 23 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan dhe dy mbeten të zhdukur pas goditjes së naftëmbajtësit El Gaia. Teherani flet për mina detare, ushtria amerikane për një raketë dhe më pas një dron.

Dy detarë janë të zhdukur dhe 23 të tjerë u shpëtuan pas një goditjeje ndaj naftëmbajtësit El Gaia në Ngushticën e Hormuzit, ka bërë të ditur Omani.
Qendra e Sigurisë Detare e Omanit njoftoi se anija nën flamurin e Panamasë po tërhiqej të martën drejt një porti omanez, pasi zjarri kishte shpërthyer në sallën e motorëve. Sipas të njëjtës qendër, mjeti lundrues u godit 1,3 milje detare (2,4 kilometra) në verilindje të gadishullit Musandam.
Për shkakun e goditjes, versionet e palëve mbeten të papërputhshme. Garda Revolucionare e Iranit, në një deklaratë të hënën, thotë se naftëmbajtësi u përplas me mina detare dhe u përfshi nga flakët duke kaluar në një rrugë që ajo e përshkroi si të ndaluar dhe të pasigurt. Ushtria amerikane e hodhi poshtë si të rreme këtë raport, duke pohuar se anija ishte goditur nga një raketë iraniane muajin e kaluar dhe përsëri nga një dron gjatë fundjavës. Qendra britanike e Operacioneve Detare Tregtare (UKMTO), nga ana e saj, bëri të ditur se kishte marrë një raportim për zjarr në bordin e një anijeje të goditur nga një projektil i paidentifikuar, ndërsa kalonte Ngushticën e Hormuzit në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Ky është modeli i njëjtë i rrëfimeve kundërthënëse që u përsërit edhe më herët këtë muaj, në një incident që u kushtoi jetën dy detarëve filipinezë në superanijen saudite të naftës Sidr. Garda Revolucionare pohoi se anija u përfshi nga zjarri pasi preku një minë detare, ndërsa autoritetet saudite thanë se ajo u shënjestrua nga Irani; kompanitë e sigurisë detare raportuan se Sidr u godit nga projektile në verilindje të Musandamit.
Organizata Detare Ndërkombëtare bën të ditur se të paktën 22 detarë kanë humbur jetën në 79 incidente të konfirmuara në Ngushticën e Hormuzit dhe në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme, nga fillimi i luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin në fund të shkurtit.
Gjithashtu të martën, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare, raportoi se "dronë armiq" kishin shënjestruar dy barka peshkimi gjatë natës në ngushticë, pranë portit iranian të Karganit, rreth 80 kilometra (50 milje) në verilindje të Musandamit. Duke iu referuar nënguvernatorit të provincës Hormozgan, Fars shkroi se pas incidentit raportohej se disa peshkatarë kishin humbur dhe se kishte nisur një operacion kërkimi e shpëtimi.
Më vonë, zëdhënësi i Komandës Centrale të ushtrisë amerikane (Centcom), kapiten Tim Hawkins, deklaroi për faqen e lajmeve Axios se forcat amerikane kishin shkatërruar dy barka që u përpoqën të vidhnin një dron detar. "Barka të vogla iraniane u përpoqën së fundmi të merrnin në zotërim një anije amerikane pa pilot, por nuk ia arritën, pasi Centcom u përgjigj me forcë", thotë Hawkins.
Ngushtica e Hormuzit, nëpër të cilën normalisht kalon një e pesta e dërgesave botërore të naftës dhe gazit, është praktikisht e mbyllur, si pasojë e goditjeve iraniane me raketa e dronë ndaj anijeve tregtare dhe e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane. Shtetet e Bashkuara dhe Irani arritën në qershor një marrëveshje paraprake për t'i dhënë fund luftës dhe për të rihapur ngushticën, por ajo u shemb brenda disa javësh, pasi u rifilluan goditjet iraniane ndaj lundrimit dhe Uashingtoni rikthei bllokadën.
Teherani ka insistuar se nuk do të heqë dorë nga një masë kontrolli mbi këtë rrugë detare dhe ka shënjestruar anije që përdorin rrugën jugore përmes ujëve omanezë, e cila shmang rrugën që Irani preferon nëpër ujërat e vet. Pikërisht në atë korridor ndodhi edhe goditja e El Gaia.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

